Pheniani propozon takim mes udhëheqësve të dy Koreve


Pheniani propozon takim mes udhëheqësve të dy Koreve

10:42 11/02/2018

Olimpiket dimërore të Pjong Çengut kanë sjellë një përfitim të ri për Korenë e Jugut, pasi u njoftua sot se Presidenti Moon Jae-in është ftuar të takohet me udhëheqësin koreano-verior Kim Jong un në Phenian.

Një letër nga Kim Jong Un-i, ku shprehet gatishmëria e tij për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy Koreve iu dorëzua Presidentin Moon nga motra e udhëheqësit koreano-verior gjatë një dreke të shtruar për delegacionin olimpik të Koresë së Veriut. Sipas një zëdhënësi të presidentit, motra e zotit Kim kishte përcjellë gojarisht ftesën që zoti Moon të shkojë në Phenian për takim me udhëheqësin koreano-verior sa më parë që të bëhej e mundur.

Presidenti Moon është përgjigjur se do ta realizojë këtë, duke krijuar kushtet për takimin në të ardhmen, tha zëdhënësi.

Ftesa hap mundësinë për takimin e parë në 10 vjet mes udhëheqësve të dy Koreve. Udhëheqësi koreano-verior Kim Jong un nuk është takuar me asnjë udhëheqës botëror me peshë që kur mori pushtetin në dhjetor 2011./VOA






Të ngjashme