Video/ Ndalohet kamioni me heroinë në Portin e Durrësit
Policia Kufitare në Portin e Durrësit ka ndaluar një automjet që po transportonte lëndë narkotike të llojit heroinë.
Në kamionin me targa AA 943 OO u gjetën dhe u sekuestruan rreth 11 kilogramë heroinë, si dhe është arrestuar drejtuesi i mjetit, Bujar Shazivari 63 vjeç. Lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit me skaner dhe rezultoi se ishte fshehur në kabinën e shoferit. Kamioni që transportonte heroinë do të imbarkohej në traget me destinacion Ankonën në Itali, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur plotësisht këtë rast të trafikut ndërkombëtar të drogës të mbetur në tentativë. Njoftimi i Policisë së Durrësit: Me datë 11.02.2018, shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Durrës, në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative në bashkëpunim me agjensitë e tjera ligjzbatuese gjatë kontrollit në vijën e dytë të kamionëve rezultoi se: Në kabinën e kamionit "MAN", me targë AA 943 OO nën krevatin e shoferit në një vend të fshehtë pas kontrollit të imtësishëm me qenin antidrogë dhe fibroskop u gjetën disa pako me lëndë të dyshuar Heroinë. Kamioni drejtohej nga shtetasi Bujar Shazivari, 63 vjeç, banues në Durrës. Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe specialistët e Sektorit të Hetimit të Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës. Nga kontrolli i imtësishëm u gjetën 10 pako të mëdha dhe një pako e vogël ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar Heroinë, ku është sekuestruar në cilësinë e provës materiale ku do kryhet dhe peshimi i plotë i saj. Kamioni me ngarkesë 15 koli me qese plasmasi me destinacion Firenzze-Itali. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik. Njëkohësisht është shkëmbyer informacion në kohë reale me homologët Italianë për të zhvilluar hetime të përbashkëta në lidhje me këtë rast./tvklan.al