FBI dështoi në parandalimin e masakrës së Floridas
Pamjet më poshtë tregojnë momentet e tmerrit që përjetuan nxënësit e shkollës së mesme të Floridas, gjatë sulmit me armë ku u vranë 17 persona, nxënës e mësues.
Autori është 19-vjeçari Nikolas Kruz, një ish-nxënës i shkollës. Ai hyri i maskuar në klasa dhe nisi të qëllonte me një pushkë gjysmë-automatike.
Policia e arrestoi të riun pranë vendngjarjes. Kruz ishte përjashtuar nga shkolla vitin e kaluar për sjellje të rrezikshme. Në mediat amerikane ka bërë bujë edhe rasti i profesorit të futbollit në shkollë, Aron Feis, i cili u vra si hero duke mbrojtur me trupin e tij disa nga nxënësit.
FBI konfirmoi se ishte njoftuar për rrezikshmërinë agresorit dhe për pasionin e tij për armët e zjarrit, një pasion që mesa duket i ishte kthyer në obsesion. Mësohet se Cruz kishte shkruar në YouTube vitin e kaluar se do të bëhet një vrasës shkolle profesionist, deklarata këto që ishin denoncuar te autoritetet e sigurisë, por kishin rënë në vesh të shurdhët.
Profilet e Nikolas Cruz në rrjetet sociale ishin të mbushuar me foto armësh zjarri e thikash. Për të njëjtat probleme vrasësi ishte përjashtuar edhe nga dy shkolla të tjera.
Por presidenti Donald Trump këmbëngul se askush në shkollat amerikane nuk duhet të jetë i frikësuar, duke premtuar forcimin e masave dhe më shumë vëmendje për shëndetin mendor të nxënësve që shfaqin probleme.
Tv Klan