Në Kamëz, pedonalja hyn në shtëpitë dhe dyqanet e banorëve
Në Kamëz po materializohet projekti i pedonales, por pa marrë parasysh se ai cënon banesat e qytetarëve dhe bizneset, që paguajnë rregullisht taksat në shtet.
Banorët ankohen se projekti u shkon në derën e shtëpisë. Ata i janë drejtuar Bashkisë, por nuk kanë marrë kurrë as zgjidhje dhe as përgjigje. Inxhinieri i firmës zbatuese, Agim Duka thotë se nuk ka kompetencë të ndërhyjë në projekt. Ndërsa Artan Dërvishi, Drejtori për Median në Bashkinë Kamëz, pas këmbënguljes së emisionit “Stop”, premton se projekti do të rishikohet që të mos cënohet prona private. Bashkia Kamëz prej një jave ka nisur ndërtimin e pedonales përgjatë Bulevardit Blu, e cila shtrihet nga qendra e qytetit deri në kryqëzimin e rrugës "Londra". Sipërfaqja e pedonales do të jetë 4936 metra katrorë, ku do të përfshijë përveç infrastrukturës, shtresa me pllaka dekorative, stola, ndriçim, gjelbërim, si dhe kosha mbeturinash. Tenderimi i projektit është kryer me vlerën prej 97.901.555 lekësh dhe afati i punimeve është 6 muaj. Ndërtimi i pedonales do të sjellë zhvillimin infrastrukturor të kësaj zone, por Bashkia Kamëz nuk mendoi që ky projekt cënon pronën private të banorëve. Ata tregojnë që i janë drejtuar Bashkisë për të kërkuar zgjidhje, por ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje."Kjo pedonale që po ndërtohet po na vjen pranë hyrjes së banesave, që s'është as 1 metër nga hyrja dhe një lartësi muri prej 1 metër e 10 centrimetrash. Nuk kemi ku të kalojmë, po na bllokojnë hyrjen me këtë projekt. Nga Bashkia nuk po na jepin asnjë përgjigje se çfarë modifikimi mund të bëhet për pjesën tonë, duke qenë se jemi më afër rrugës",
u shpreh një banor. Ndërsa një tjetër tha: "Nuk jemi kundër ndërtimit të pedonales, por të paktën të jetë lartësia nga themeli 2 metra. Plus shpenzimet që po na i kërkojnë me insistim. Thotë: 'E prisha, nëse do rregulloje ti!' Ç'kusur kam unë ta rregulloj kur ti ma prish, ishte në rregull".
Banorja-
Kanë prishur këto betonat këtu, do prishin dhe shtëpinë time. Unë kam hyrjen këtu, drejtimi më vjen këtu. Muri vendoset këtu dhe unë s'kam ku të dal.
Gazetarja - Dil nga dritarja. Banorja -Të dal nga driatrja? Të vijnë ta provojnë ata të Bashkisë një herë si do dal unë!
Moderatori i emisionit "Stop", Gentjan Zenelaj thotë që zakonisht kur ndërtohen bulevardet, prishet i pari dhe më pas bëhet i dyti, ndaj ngre pyetjen nëse Xhelal Mziu po ndërton të dytin mbi të parin. Por përpos banesave edhe subjektet private janë të prekur nga kjo problematikë, pasi që kur kanë nisur punimet, puna e tyre është pezulluar."Shiheni ku e keni gropën. Ku do vijë klienti këtu? Çfarë të bëjmë ne? Kanë një javë që kanë nisur punimet dhe këtu 1 punëtor ose 2 janë. Kush do hyjë këtu në dyqan? Varet se sa do të jetë kohëzgjatja e punimeve...
", ankohet një pronar biznesi. Një tjetër, që ka në pronësi tre biznese të prekura nga projekti, shton:"I kërkoj Bashkisë të respektojë distancat që të na lejë të hyjmë te bizneset. Tek e fundit këto dyqane po i paguajnë taksat!"
Gazetarja e emisionit "Stop" komunikoi me inxhinierin e firmës zbatuese, Agim Dula, i cilë është edhe drejtuesi i punimeve."Këto probleme i di Bashkia, ne kemi projektin. Unë jam thjesht zbatues".
Ndërsa Drejtori për Median në Bashkinë Kamëz, Artan Dervishi u shpreh:"Në kuadrin e projekteve të zhvillimit të qytetit, Bashkia Kamëz, qysh prej vitit 2016, ka planifikuar investimin për urbanizimin e qendrës së qytetit. Por duke e parë që nuk kemi marrë mbështetje nga qeveria qëndrore prej më shumë se 2 vitesh e gjysmë të bënte zbatimin e këtij projekti. Projekti është i ndarë në të dyja krahët dhe me dimensione 5 metra në të djathtë dhe 8 metra në të majtë".
"Me pretendimin e qytetarëve është një segment gati 50 metra dhe në këtë kontekst sigurisht që do të ketë ndërhyrje për të bërë të mundur përmirësimin e pjesës pretenduese nga qytetarët. Në lidhje me kuotimin e këtij projekti, që i afrohet deri në parametrat që prek pronën e tyre, Bashkia do të marrë të gjitha masat për të bërë përmirësimin e këtij segmenti. Besoj se do të jetë segment shumë i suksesshëm, pavarësisht devijacionit që do të ketë kjo pjesë".
Një banor i zonës së Kazmës i janë drejtuar Televizionit Klan për të falenderuar emisionin "Stop" dhe Bashkinë Kamëz, pasi u arrit të gjendej një zgjidhje, duke mbajtur distancat e duke mos cënuar banesat e dyqanet. /tvklan.al