Tension mes Izraelit dhe Polonisë
Tensionohen marrëdhëniet mes Izraelit dhe Polonisë. Shkak është bërë një deklaratë e Kryeministrit të Polonisë, Mateus Moraviecki, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku tha se hebrenjtë, ashtu si polakët e të tjerët janë mes autorëve të Holokaustit Nazist.
“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se nuk mund të shihemi si kriminelë nëse themi se kishte ekzekutues polak, ashtu siç kishte edhe ekzekutues hebrenj, rusë apo ukrainas”.
Mirëpo këto deklarata solli reagimin e palës izraelite. Kryeministri Benjamin Netanjahu i quajti të papranueshme dhe të pabaza komentet e bëra nga Kryeministri polak.
Qëndrimi i shefit të qeverisë polake ngjalli edhe zemërimin e popullit izraelit. Në Ambasadën polake në Izrael, u shënua Zvastika, shenja identifikuese e nazistëve, polakët u quajtën vrasës, si edhe u shkruan parulla ofenduese ndaj tyre.
Qeveria polake reagoi duke thënë se fjalët e Kryeministrit janë nxjerrë nga konteksti dhe nuk kishin si qëllim identifikimin e hebrenjve si autorë të Holokaustit.
Tensionet mes dy vendeve vijnë vetëm pak javë pasi autoritetet izraelite kritikuan ato polake për hartimin e një drafti që e quan të paligjshëm akuzimin e shtetit të Polonisë në genocidin nazist.
Tv Klan