Akreoma Saliu, balerina ndryshe


Akreoma Saliu, balerina ndryshe

03:49 24/02/2018

Arti mund të shprehet në forma nga më të ndryshmet. Një prej tyre është pa dyshim dhe baleti konteporan, një gjini artistike që i jep mundësinë balerinëve të shprehin botën e tyre shpirtërore me anë të lëvizjeve trupore.

Akreoma Saliu, është një prej tyre. Ajo ka nisur të kërcejë që në moshën 5-vjeçare, fillimisht duke mësuar nëpërmjet kurseve të baletit klasik. Teksa vitet kalonin, ajo vendosi që të mësonte një zhanër tjetër, baletin kontemporan.

E kam nisur këtë lloj dansi sepse me anë të tij ne prekim tema aktuale, një gjë që publikun dhe mua si individ më shqetëson. Këtë gjë e ngre dhe e sjell në formën e kërcimit. Nëse kam një shqetësim timin, apo një kënaqësi, një fenomen që më ndodh, unë menjëherë futem në sallën e kërcimit dhe krijoj. E mira e artit është që ai komunikon dhe çdo shfaqje që nuk komunikon për mua nuk është shfaqje".

E diplomuar në Universitetin e Arteve, 23-vjeçarja tregon për Klan Plus ndryshimin mes baletit klasik dhe atij kontemporan.

Baleti klasik është shumë i bukur estetikisht, e i vështirë pasi duhet të kesh shumë teknika të mira të kërcimit, por nuk i jep një kërcimtari një proces krijimtarie. Unë nuk duhet të lëviz nga kornizat, ndërsa në dansin kontemporan kam më shumë mundësi shprehjeje, që nga gjuha e trupit e deri në konceptet që unë zgjedh të përhap në audiencë

".

Akreoma ka punuar me projekte të ndryshme në Teatrin Kombëtar dhe Eksperimental. Pavarësisht eksperiencës së saj, ajo shprehet se shumë balerinë të tjerë kontemporanë, e kanë vështirë të gjejnë një punë.

Ndodh jo pa faj, sepse mundësitë e punësimit në këtë lloj dansi janë të pakta. Në botë në fakt është shumë i praktikuar, nuk ka dancer që nuk e ndjek këtë lloj kërcimi. Ndërsa këtu e vetmja metodë punësimi është Teatri i Operas dhe Baletit, në të cilin praktikohet vetëm baleti klasik. Prandaj të gjithë balerinët në moshën 18-vjeçare nuk kanë tepër info për këtë lloj dansi, ose shkojnë për të studiuar jashtë, ose vazhdojnë Teatrin e Operas”.

Pavarësisht vështirësive në tregun e punës, baleti kontemporan mbetet një zhanër kërcimi që përcjell shumë emocione tek audienca artdashëse.

Burimi: Klan Plus

Gazetare: Xh.Kuta





Të ngjashme