Jean Claude Juncker pasdite në Tiranë


Jean Claude Juncker pasdite në Tiranë

12:09 25/02/2018

Kreu i Komisionit Europian Jean Claude Juncker viziton pasdite Tiranën, ndalesa e dytë e turit të tij në Ballkanin Perëndimor që synon nxitjen e proceseve integruese të rajonit drejt Bashkimit Europian.

Junker shoqërohet nga komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn dhe përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme Federika Mogherini. Axhenda nis në orën 17.30 me pritjen me nderime ushtarake përpara Kryeministrisë. Juncker do të takohet fillimisht me kryeministrin Rama, me të cilin do të mbajë edhe një konferencë për shtyp.

Qëllimi i vizitës është ecuria e reformave integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian në kuadër të strategjisë së re të zgjerimit, prezantuar më herët gjatë ktij muaji nga Komisioni Europian që përcakton vitin 2025 si horizont kohor për antarësimin e rajonit. Pak ditë më parë komisioneri Hahn tha në një intervistë për gjermanen ‘Di Velt’ se negociatat e antarësimit për Shqipërinë dhe Maqedonisë do të nisin brenda verës, pasi vendet kanë bërë progres të dukshëm me reformat euro-integruese. Zyrtari i lartë europian tha se Shqipëria në veçanti kishte arritur rezultate në luftën kundër krimit të organizuar.

Turin ballkanik e nisin me vizitën në Shkup. Ndërsa pas Shqipërisë, zyrtarët europianë do të vizitojnë të hënën Serbinë, më pas Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën, të mërkurën Kosovën për ta përmbyllur me Bullgarinë, që ka presidencën e radhës të Bashkimit Europian.

Tv Klan






Të ngjashme