Nxitja e përdorimit të lekut në vend të euros, memorandum me BERZH në Londër


Nxitja e përdorimit të lekut në vend të euros, memorandum me BERZH në Londër

20:02 26/02/2018

Banka e Shqipërisë nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me BERZH dhe Ministrinë e Financave për nxitjen e bashkëpunimit për përdorimin e monedhës kombëtare.

Memorandumi i firmosur në Londër synon të përmirësojë kreditimin në lekë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nëpërmjet një programi specifik që BERZH-i ka për këtë qëllim.

Sipas një njoftimi për shtyp të Bankës së Shqipërisë, programi i BERZH-it mund të ofrojë financim për këto ndërmarrje me kushte konkurruese, sipas politikave e procedurave të saj. Gjithashtu, programi nëpërmjet koordinimit me autoritetet kombëtare, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose në bashkëpunim me organizatat dhe partnerët ndërkombëtarë financiarë, nxit një mjedis pozitiv për kreditimin në monedhën vendase.

Nxitja e përdorimit të lekut në vend të euros është një iniciativë e Bankës së Shqipërisë.

Guvernatori Sejko e vlerësoi memorandumin e nënshkruar duke theksuar se përdorimi i monedhës vendase do të ketë një ndikim pozitiv në përmirësimin e efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare, si dhe reduktimin e rreziqeve të stabilitetit financiar për vendin.

“Roli ekskluziv që Banka e Shqipërisë ka si autoritet monetar dhe mbikëqyrës mbështetet konkretisht nga kjo marrëveshje. Angazhimi i palëve për të bashkëpunuar për përshpejtimin e zhvillimit të tregut shqiptar të kapitalit, duke forcuar përdorimin e monedhës vendase, përveç punës në fushën e mbikëqyrjes bankare dhe qeverisjes, si dhe zgjidhjes së çështjes së kredive me probleme, do të ketë një ndikim pozitiv në përmirësimin e efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare, si dhe reduktimin e rreziqeve të stabilitetit financiar për vendin”

, tha Sejko.

Tv Klan





Të ngjashme