“Përplasje” me Kryeministrin? Xhafaj shpjegon bashkëpunimin me agjencitë e huaja
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj në një reagim në rrjetet sociale për operacionin ku u sekuestruan 613 kilogramë kokainë, hedh poshtë çdo spekulim të mundshëm për një përplasje mes deklaratave të tij dhe Kryeministrit Edi Rama, sa i përket bashkëpunimit me agjencitë e huaja.
“Sa për spekulimin për “përplasjen” mes deklaratës time dhe asaj të KM për bashkëpunimin me partnerët, sqaroj se: identifikimi i kokainës dhe personave të lidhur me të, ishte falë Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor. Pas sekuestrimit të drogës sot, Policia i ka kërkuar agjencive të huaja informacion dhe bashkëpunim për hetime të mëtejshme. Ky është bashkëpunimi me ta”,
sqaron Xhafaj
.
Më tej, Ministri e thotë se operacioni i Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor u zhvillua në diskrecion të plotë dhe me rezultatin e pritshëm spektakolar, falë një punë me përkushtim dhe sakrificë njerëzore.
“Falenderim dhe mirënjohje të thellë për punonjësit e policisë te përfshirë në këtë operacion, si dhe për përfaqësuesit e agjencive të tjera qeveritare ligj zbatuese që u bënë pjesë e tij. Inkurajim për të vazhduar në këtë rrugë”.
Roli udhëheqës dhe ekzekutues i Policisë së Shtetit në kuadër të këtij operacioni është
KONFIRMIM i aftësisë zbuluese dhe investiguese në rritje të Policisë së Shtetit dhe
vullnetit të qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar”.
Nga ana tjetër, Xhafaj shpreh keqardhje edhe për reagimet e ardhura nga radhët e opozitës.
“Keqardhje e madhe jo vetëm si Ministër, por edhe si qytetar i këtij vendi, për reagimet komplet absurde e kundër produktive, si dhe çdo për trillim të papërgjegjshëm të atyre që kurrë nuk thanë një fjalë të mirë për policinë”.
Ministri thotë se shpreson që Prokuroria, e cila tani ka kompetencën e hetimit
“do të jetë në lartësinë e detyrës për të çuar përpara drejtësisë këdo të përfshirë në këtë veprimtari kriminale edhe si mundësi për të larguar çdo spekulim politik dhe mediatik mbi këtë ngjarje”.
“Faleminderit qytetarëve dhe partnerëve për inkurajimin dhe mbështetjen që po i japin
Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për çfarë ne jemi duke bërë. Mirënjohje për gjithçka!”, e mbyll reagimin e tij Xhafaj. /tvklan.al