Zbardhet dinamika e grabitjes e pikës së këmbimit valutor
Agur Vrenozi, 54-vjeçari i plagosur të premten gjatë grabitjes së pikës së këmbimit valutor në Fier, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve. Ai ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në kryeqytet mëngjesin e së shtunës. Të afërm të tij pritën përfundimin ekspertizës për të tërhequr trupin nga morgu i Tiranës.
Autori i vrasjes së Vrenozit sipas policisë është Lulëzim Demiraj. Ai u tha hetuesve se nuk kishte qëllim ta vriste 54-vjeçarin dhe se arma iu shkrep aksidentalisht. Kallashnikovin e kishte hedhur mes shkurreve në tentativë për t’i shpëtuar ndjekjes nga policia.
Dinamika e ngjarjes pritet të saktësohet pas dëshmisë që do të japë pronari i pikës së këmbimit valutor, Gëzim Hoxha, i cili la të shtunën paradite spitalin e Fierit. Plaga në këmbë sipas mjekëve nuk përbënte rrezik për jetën.
Dëshmitarë okularë thanë se policia mbërriti në vendin e ngjarjes me rreth gjysmë ore vonesë, megjithëse u lajmërua që në momentin kur grabitesit u futën në pikën e këmbimit valutor. Autorët morën rreth 6 mijë euro dhe më tepër se 900 mijë lekë, dhe më pas larguan drejt fshatit Baltëz, për t’u fshehur në pyllin e Semanit. Në mes të rrugës ata ndryshuan planin e arratisjes dhe qëndruan në fshatin Baltëz, ku u kapën nga policia.
Zini Fyraj nga Sevasteri i Vlorës, Lulëzim Demiraj nga fshati Vajzë i Vlorës dhe Dashamir Gergali, nga Zhupani i Fierit pritet të dalin për masë sigurie ku do të njihen edhe me akuzën.
Tv Klan