Tirana Parking dhe Lotaria Kombëtare kontribuojnë me pemë të reja për qytetin


Tirana Parking dhe Lotaria Kombëtare kontribuojnë me pemë të reja për qytetin

12:41 04/03/2018

Projekti i Bashkisë së Tiranës për pagesën e parkimit me SMS, jo vetëm ka rritur transparencën në shërbim të qytetarëve, por ka rezultuar mënyra ideale për të financuar projekte në dobi të komunitetit si gjelbërimi i qytetit. Tirana Parking dhe Lotaria Kombëtare iu bashkuan kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për mbjelljen e pemëve të reja përgjatë autostradës Sauk-Teg, si kontribut për një mjedis më të gjelbëruar dhe ajër më të pastër.

“Tirana Parking po ndihmon duke mbjellë pemë sot, por në fakt çdo qytetar që parkimin e paguan me celular në nr. 50500, dhuron një pemë. Dua t’i falenderoj të gjithë ata qytetarë që, pavarësisht se koncepti i parkimit me pagesë ishte një koncept i ri për Shqipërinë, sot po kuptojmë që jo vetëm është bërë më e lehtë të gjejmë parkim, jo vetëm që qyteti merr të ardhura, por në momentin që të ardhurat lidhen direkt me gjelbërimin e Tiranës, secili ndihet që ka dhënë një kontribut”,

theksoi Veliaj.

Deri më tani në kryeqytet janë mbjellë mbi 90 mijë pemë të reja, shumë afër objektivit për të mbjellë 100 mijë pemë deri në 21 mars. Kryebashkiaku Veliaj ftoi edhe një herë qytetarët që të shfrytëzojnë ditët e mbetura dhe ngjarjet e rëndësishme si 7-8 Marsi për mbjellë një pemë.

“Kemi përpara 7-8 Marsin, Ditën e Verës, të tjera arsye për ta bërë Tiranën tonë më të mirë se ç’ishte dje. Janë një mënyrë për t’i kushtuar suksesin e këtij qyteti të gjitha grave dhe vajzave, që e bëjnë këtë qytet të suksesshëm. Siç thotë ajo shprehja: ‘Pas çdo burri ka një grua shumë të aftë’, në fakt edhe pas çdo qyteti ka gra dhe zonja të mrekullueshme, që kanë sukses në kompanitë tona publike ose private”

, deklaroi ai.

 Eglantina Zëre, drejtoresha e Përgjithshme e “Tirana Parking”, theksoi se çdo e ardhur nga pagesa me celular e vendparkimit, shkon për të mbjellë pemë për qytetin.

Një kontribut të çmuar në nismën “Dhuro një pemë” kanë dhënë edhe bizneset, duke i kthyer mbrapsht komunitetit një pjesë të fitimeve të tyre. “

Jam shumë i lumtur që kemi miq që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes sonë për ta gjelbëruar Tiranën. Tirana, si çdo qytet, ndahet në ata që janë spektatorë dhe ata që janë aktorë. Aktorët janë ata që bëjnë gjërat, spektatorët janë gjithologët që vetëm japin mend si bëhen gjërat. Më vjen mirë që sot kemi aktorë si Lotaria Kombëtare, si Tirana Parking, të cilët nuk mjaftohen vetëm duke thënë si duhet të bëhen gjërat, por marrin lopatën për të gjelbëruar Tiranën. Është shumë e rëndësishme që kompania të ketë sukses, të ketë fitim, të punësojnë njerëz, por është shumë e rëndësishme që t’i japë diçka mbrapsht komunitetit”,

tha Veliaj.

 Përfaqësuesi i Lotarisë Kombëtare, Peter Simoner, e cilësoi të shkëlqyer këtë nismë të Bashkisë së Tiranës dhe siguroi se projekte të tilla në dobi të komunitetit do të vijojnë edhe në të ardhmen. /

tvklan.al






Të ngjashme