Përmbytjet përplasin pushtetin vendor me atë qendror
Përmbytjet nga reshjet e shiut kanë sjellë përplasje të pushtetit vendor me atë qendror në Bashkinë e Shkodrës. Sipas verifikimeve të kryera në terren nga Bashkia, mbi 900 ha tokë janë përmbytur në njësinë administrative Ana e Malit në Shkodër. Informacioni është dhënë nga bashkia, sipas të cilës, niveli i ujit në rrugën e fshatit Obot arrin 30-50 cm.
Por të tjera shifra jep Ministria e Mbrojtjes për këtë situatë. Në një njoftim për mediat kjo ministri thotë se në Anën e Malit, ndodhen nën ujë vetëm 300 hektarë.
Për situatën Forcat e Armatosura kanë vënë në gadishmëri batalionin e Vaut të Dejës, batalionin e mbrojtjes rajonale, mjete të kalueshmërisë së lartë dhe rreth 200 trupa, për ndërhyrje në rast evakuimi.
Nga ana e saj Bashkia kërkon shpalljen e gjendjes së emergjencës në zonat e përmbytura bazuar në verifikimet e saj në terren. E deklaroi pasditen e të martës, në një konferencë për mediat, kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.
Por ndryshe mendon Prefekti Cesk Millja, i cili ka mbledhur në mbrëmje Shtabin e Emergjencave. Mësohet se prefekti ka deklaruar se situata e përmbytjeve në Shkodër nuk është e tillë, sa të kërkojë shpalljen e emergjencës. Prej disa ditësh reshjet e shiut kanë evidentuar pikat problematike të rrezikuara nga përmbytjet në bashkinë më të madhe të veriut.
Tv Klan