Shpresat për demarkacionin tek Vetëvendosja
Shumica parlamentare në Kosovë ka hequr dorë nga votat e Listës Serbe për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit kufitar me Malin e Zi. Këtë e la të kuptohet kreu i kuvendit Kardi Veseli, i cili shpresat i ka tani tek Vetëvendosja përpara përcaktimit të datës për seancën.
“Na duhet konsensusi, na duhen edhe disa vota. Vetëm një reflektim më pak qytetar i një pjese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe do të shkojmë drejt e në seancë”.
Por Lëvizja Vetëvendosje e ka përcaktuar më herët qëndrimin kundër marrëveshjes. Gjithsesi vend për diskutime ka. Gjatë ditës zhvilloi një tryezë me ekspertë për këtë çështje. Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti tha se Kosova ka humbur territor për shkak të metodologjisë së gabuar në përllogaritjen e zonës kufitare, çka duhet rishikuar.
“Nuk mund të korrigjohen 8 mijë hektarë. Mund të korrigjohen 8 hektarë. Dhe kur ata thonë se do të bëhen korrigjime eventuale, e kanë fjalën për korrigjime minimale. Nuk e kanë fjalën për hapsirën e madhe territoriale që humbin ne, që është 82 km katrorë…. ose siç e tha profesor Berisha ‘rruga prej Prishtinës në Pejë me gjerësi 1 kilometër”.
Shumicës parlamentare ku bën pjesë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës i duhen edhe të paktën 2 vota për të arritur 80 të nevojshmet për miratimin e ligjit të demarkacionit kufitar, që i hap rrugë liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian.
Tv Klan