Video/ Ekspeditë në mal, shpëtohen 4 persona
4 persona u shpëtuan këtë të hënë nga autoritetet në Gjirokastër pasi kishin mbetur të bllokuar në një gropë mes kodrash në malin e fshatit Sotirë, Njësia Administrative Dropull i Sipërm. Ata ishin nisur të dielën me makina deri në fshatin Selo dhe më pas kishin nisur ekspeditën me këmbë gjatë natës.
Por për shkak të terrenit të vështirë e malor dhe me dëborë, ata mbetën të bllokuar midis disa kodrave në vendin e quajtur “Gështenjat e djegura”. Në ndihmë të tyre shkuan shërbimet e Emergjencave Civile, shërbime policore të DVP Gjirokastër, DRKM Gjirokastër, Delta Forcë, si dhe një helikopter.
Për shkak të terrenit, helikopteri nuk mundi të vepronte dhe ndërhynë Delta Forcë e Zjarrfikëset. Shërbimet e Delta Forcë dhe Zjarrfikësit bënë të mundur nxjerrjen e 4 personave. Ata aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut.
Në videon më lart shihen pikërisht momentet kur autoritetet u vijnë në ndihmë personave në fjalë.
/tvklan.al