Moska refuzon t’i përgjigjet Londrës
Rusia refuzon ti përgjigjet ultimatumit të kryeministres britanike Tereza Mei për të dhënë informacione për substancën e rrezikshme të përdorur për helmimin e ish-agjentit rus Sergei Skripal. Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha gjatë një konference për shtyp se Moska nuk mund të përgjigjet përderisa autoritetet britanike nuk i kanë dërguar kampionë të helmit të përdorur.
“Sapo nisën spekulimet se Skripal u helmua me një lëndë të prodhuar në Rusi, çka u trumpetua nga i gjithë lidershipi anglez, ne i dërguam një kërkesë zyrtare që të na dërgonin përbërjen, në mënyrë që ekspertët tanë ta analizonin konform rregullave të Konventës për Armët Kimike”.
Kryeministrja britanike publikoi të hënën detaje nga hetimi për helmimin e ish-agjentit Sergei Skripal. Sipas saj, helmi i përdorur ishte ai që njihet me emrin “Novichok”. Ekspertët thonë se bëhet fjalë për një përbërje vdekjeprurëse, të zhvilluar nga ushtria ruse gjatë luftës së ftohtë për të shmangur fushëveprimin e konventave ndërkombëtare që ndalojnë përdorimin e armëve kimike.
Kryeministrja Mei kërkoi nga hetuesit rusë informacione nëse helmi i përdorur për rastin Skripal ishte siguruar ose jo ilegalisht nga ushtria ruse. Nëse Rusia nuk përgjigjej, Mei tha se autoritetet britanike do ta konsideronin automatikisht Moskën përgjegjëse për krimin dhe kundër reagimi i do të ishte tepër i ashpër.
Tv Klan