
Ekspozita “Centaur”
Artistët e kohërave moderne, shpesh dhe me ëndje, i janë kthyer mitit të Centaurëve. Centauri është një figurë e mitologjisë greke, që përfytyrohej si një qenie gjysmë njeri e gjysmë kafshë.
Qeramika dhe tablotë, ku figura e Centaurit paraqitet, janë simbolet kryesore të ekspozitës. Pasi kapërceu epokat, ai shfaqet në një ekspozitë në Galerinë Fab, si një lloj akti në lëvizje. Por që për autorin nuk ka përgjigje dhe nuk ka përmasa të përcaktuara.
Në botën antike ky lloj bashkimi mes njeriut edhe kafshës shprehte vitalitetin, forcën dhe energjinë, që natyra i jepte atij dhe ai ndihej pjesë e saj. Artisti, me ekspozitën e tij personale, sjell këtë herë në mënyrë tepër të veçantë punët e tij, përmes gërshetimit dhe ndjesisë së tij artistike.
Në fytyrat e personazheve dhe objekteve që artisti ka krijuar, në mënyrë paradoksale dallohet skllavërimi dhe rikrijimi i centaurëve të rinj. Centauri vjen këtë herë pa trup kali apo rrota motori, por si një krijesë e përzier në kërkim të një harmonie të re.
Kësaj ideje i shërben dhe cikli i figurave vertikale, figurat ndjekin në mënyrë koshiente skemat e ikonave mesjetare dhe imazhet e skulpturave gotike. Kjo ekspozitë vjen gjithashtu edhe më një mesazh të fortë në vetvete. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 19 Mars.
Burimi: Klan Plus
Gazetare: Livia Çelo