KED zhvillon mbledhjen e parë
Këshilli Emërimeve në Drejtësi (KED) ka zhvilluar mbledhjen e tij të parë që pas përzgjedhjes me short te anëtarëve të tij në Dhjetorin e vitit të shkuar.
Në mbledhjen ku kanë qenë të pranishëm dhe Avokatja e Popullit dhe 2 përfaqësues të komisionit të ligjeve, Ulsi Manja e Enkelejd Alibeaj, si dhe një përfaqësues nga Presidenca dhe një nga Kuvendi, janë marrë në dorëzim dhe aplikimet e kandidaturave për 3 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.
Por anëtaret e KED pavarësisht se tashmë do të kenë dokumentacionin e nevojshëm e kanë të pamundur që të marrin në shqyrtim kandidaturat për 2 vendet vakante në Kushtetuese që përzgjidhen nga Presidenti dhe 1 tjetër që i takon të përzgjidhet nga Kuvendi.
Përpara se të nisë ky proces të gjithë anëtarët e këtij organi të ri duhet të kalojnë Vettingun. Çka do të thotë se Gjykata Kushtetuese do të vazhdojë të qëndrojë në ngërç me mungesën e 3 anëtarëve të saj.
Maxhoranca përmes kryetarit të komisionit të ligjeve, Ulsi Manja, është shprehur se pavarësisht situatës ku ndodhet Kushtetuesja, do të respektohet fryma e Kushtetutës dhe do të pritet që komisionet e Vettingut të shprehen për të gjithë anëtaret e këshillit të emërimeve në drejtësi.
Ligji themeltar i shtetit parashikon që të gjithë kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të filtrohen dhe renditen në një listë që i çohet Presidentit, kur përzgjedhja i takon këtij institucioni apo Kuvendit në rastin kur anëtari zgjidhet me votim në parlament. Në rast se ky i fundit nuk mundet që të zgjedhë me 3/5 një nga kandidatet, atëherë anëtar i Gjykatës Kushtetuese automatikisht zgjidhet kandidati i listuar i pari nga KED.
Tv Klan ka mësuar që këtë javë komisionet e Vettingut do të nisin dëgjimin e anëtarëve aktualë të Gjykatës kushtetuese, pasi kanë shqyrtuar dokumentacionin shkresor për ta.
Tv Klan