Qeveria nuk do të pranojë më oferta të pakërkuara
Kërkesës së hershme dhe të përmendur edhe në fund të vizitës së monitorimit ditën e martë nga ana e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për eleminimin e ofertave të pakërkuara për koncesionet qeveria i është përgjigjur pozitivisht. Ministri Arben Ahmetaj thotë në një intervistë për Televizionin Klan se prej disa javësh ka nisur puna për ndryshimet ligjore, të cilat do të hyjnë në fuqi në vitin 2021.
Vitin 2021, kreu i Financave e shpjegon si periudhë tranzitore që duhet për krijimin e institucioneve, të cilat do të hartojnë ofertat e kërkuara dhe studimet e fizibilitetit.
Ahmetaj pranon se ka risqe për borxhin publik, si nga kursi i këmbimit edhe nga interesat, por qeveria është gati për të përballuar edhe një skenar negativ, pasi ka parashikuar fonde në buxhet. Këtë vit borxhi për herë të parë pas 5 vitesh është ulur nën 70% të Prodhimit Kombëtar.
Edhe pse e kanë gjetur gjuhën e përbashkët në fushën e PPP-ve dhe ndihmës që do të ofrojë në këtë proces Fondi, qeveria nuk ndan të njëjtin qëndrim për futjen në TVSH të biznesit të vogël. Ahmetaj thotë se kjo hallkë do të ndihmojë të luftojë evazionin te biznesi i madh, ndërsa FMN e konsideron si një shpenzim të madh adminsitrativ për të mbledhur një përqindje të ulët të të ardhurave.
Tv Klan