
Video/ Shkëmbim zjarri mes policisë dhe grabitësve, 1 vdekur dhe 1 i plagosur
Një grabitje me armë zjarri, në të cilën pati shkëmbim zjarri mes autorëve dhe policisë, ka çuar në vdekjen e një prej grabitësve dhe plagosjen e një tjetri. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur gjatë natës në qytetin e Fierit.
“Në datën 23.03.2018, rreth orës 03:00, policia lokale u njoftua nga një telefonatë se në lagjen “29 Nëntori” Fier, pranë banesës së shtetasit M.M, disa persona kanë tentuar të hyjnë brenda shtepisë duke thyer drynin e derës”.
“Pas marrjes së njoftimit mbërritën në vendngjarje shërbimet e policisë, të cilët janë përballur me disa persona të maskuar e të armatosur me pistoleta e automatikë, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë”,
sqaron policia në një njoftim, e cila më tej shton:
“Në kushtet e reagimit propocional, nga shkëmbimi i zjarrit, njëri nga autorët është plagosur dhe një tjetër ka gjetur vdekjen. Të dy ata ishin të maskuar e të armatosur me pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”.
I plagosuri është identifikuar si Arben Muça dhe ndodhet në spital, ndërsa identiteti i grabitësve të tjerë nuk dihet ende.
Dy prej tyre duke qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë janë larguar duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit, me një mjet ende të paidentifikuar.
Fatmirësisht, nga radhët e Policisë së Shtetit nuk ka të lënduar.
Autoritetet kanë ngritur pika të shumta kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit dhe po vijon puna për kapjen e autorëve të tjerë. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm provash materiale. Nën drejtimin e një grupi të posacëm të Prokurorisë, i cili gjendet në vendngjarje, po vazhdon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.
Kjo është hera e dytë brenda pak kohësh që qyteti i Fierit bie pre e grabitësve të dhunshëm. Në fillim të muajit Mars një qytetar gjeti vdekjen gjatë një grabitjeje me armë në një pikë këmbimi valutor.
/tvklan.al