PD: Deputeti socialist Alket Hyseni i akuzuar për tjetërsim pronash në Dhërmi
Deputeti socialist Alket Hyseni është vënë në shënjestër të akuzave të opozitës, se ka përfituar me dokumente të falsifikuara 11 mijë metra katrorë tokë të familjes Bua në Dhërmi.
Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka duke iu referuar denoncimeve të bëra nga pjesëtarë të familjes Bua tha se pasi e ka blerë tokën me dokumente të falsifikuara, Hyseni ia ka kaluar atë mikut të Kryeministrit, Gon Papuli.
Opozita e fton Kryeministrin dhe Prokurorinë të mos heshtin, pasi sipas saj, ajo që e bën edhe më të rëndë grabitjen e pronës nga familja Bua tek Alket Hyseni dhe më pas tek miku i Kryeministrit, është fakti se deputeti socialist e ka kryer transaksionin në kohën kur ishte emëruar Kryetar i Task Forcës për verifikimin e kthimit dhe regjistrimit të pronave në bregdetin e Jugut.
Tv Klan