Familja Muça nuk kishte para në banesë


Familja Muça nuk kishte para në banesë

15:36 25/03/2018

Dy ditë pas grabitjes së mbetur në tentativë në banesën e  Minella Muçës, në Fier, ku një nga grabitësit, Xhuliano Sollaku,  mbeti i vrarë dhe bashkëpunëtori i tij, Arben Muça u plagos, burime të Policisë së Fierit kanë konfirmuar se në banesën e Minella Muçës, nuk janë gjetur shuma të mëdha parash.

Kjo konfirmohet për TV KLAN, nga burime të policisë lokale që thanë se familja që do të sulmohej nga grupi i grabitësve, ka pasur shuma të papërfillshme në banesë. Mbetet e paqartë arsyeja përse grupi prej 4 personash, kishte planifikuar të grabiste banesën e çiftit të të moshuarve. Dyshimet e policisë janë se grabitësit janë tërhequr nga fakti që djali i Minella Muçës, jeton prej vitesh në Meksikë.

I arrestuari i vetëm i kësaj ngjarjeje, është Arben Muça, 35-vjeçari nga Puka, i cili mbeti i plagosur nga shkëmbimi i zjarrit me policinë. Ai nuk ka pranuar të japë detaje lidhur me ngjarjen dhe rrethanat e vrasjes së 20-vjecarit, Xhuljano Sollaku, apo plagosjes së tij. Muça pritet të përballet të hënën me akuzën. Prokuroria mësohet se do të kërkojë masën e sigurisë arrest me burg, për akuzën e grabitjes me armë të mbetur në tentativë,  kundërshtimit me armë të punonjësve të policisë dhe armëmbajtjes pa leje. Mbeten ende në kërkim 2 prej bashkëpunëtorëve në këtë grabitje.

Tv Klan






Të ngjashme