Policia kosovare ndalon hyrjen e ministrit serb të Kulturës
Sërish tensione mes Kosovës dhe Serbisë. Disa zyrtarëve të lartë serb u është ndaluar hyrja në Kosovë nga Ministria e Jashtme. Megjithatë ata kanë shkuar në kufi në pjesën veriore nga ku janë kthyer nga policia.
Ministri i Kulturës dhe ai i Brendshëm po udhëtonin në Kosovë bashkë me shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë dhe sekretari i Presidentit serb. Presidenti Aleksandar Vuçiç, do të mbajë nesër një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku temë do të jetë Kosova.
Në këtë pjesë njësitet speciale të Policisë së Kosovës kanë dalë për të siguruar zonën. Zyrtarët serb po shkonin drejt Mitrovicës dhe për të vizituar manastiret në Kosovë. Shefi i zyrës për Kosovën, Marko Gjuric, po shkonte për një debat për dialogun e brendshëm me serbët e atjeshëm, një nismë e Presidentit Aleksandar Vuçiç për të gjetur zgjidhje për Kosovën.
Ministri i Kulturës, Vlladan Vuksanoviç, e ka quajtur këtë një gabim që nuk e ndihmon situatën.
“Ne kemi sjellë dhurata për vëllezërit dhe motrat tona dhe kemi bërë plan të vizitojmë manastiret. Kjo është një gafë që nuk ndihmon”.
Në Kosovë do të shkonte edhe ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin dhe sekretari i Presidentit. Ndërkohë Serbia në një rast të ndarë ndaloi xhudistët serbë të garojnë kundër Kosovës në Sarajevë. Presidenti Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar se për Kosovën do të flasë në një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Tv Klan