SHBA dhe BE dëbojnë 107 diplomate rusë, Moska: Akt armiqësor
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe 14 vende të Bashkimit Europian reaguan në bllok duke dëbuar në total 107 diplomatë dhe zyrtarë të tjerë rusë nga vendet e tyre. Vala e gjerë e dëbimeve erdhi si kundërpërgjigje ndaj sulmit me gaz nervor ndaj ish-agjentit rus Sergei Skripal, në Britaninë e Madhe.
Shuplaka më e rëndë ndaj Moskës erdhi nga Uashingtoni. Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se presidenti Trump urdhëroi largimin e 60 zyrtarëve rusë, 48 diplomatë, 12 operativë të inteligjencës me mision në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, si edhe mbylljen e konsullatës ruse në Seattle.
Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, njoftoi nga Varna se 14 vende anëtarë, vendosën dëbimin e diplomatëve rusë me misione në këto vende.
“Këshilli i Europës pajtohet me qëndrimin e Britanisë së Madhe se pas sulmit në Salisbury me shumë gjasë fshihet Rusia. Masa të tjera, përfshirë edhe dëbime të tjera, nuk përjashtohen në ditët e ardhshme.”
Edhe Ukraina vendosi të largojë 13 diplomatë rusë nga vendi. Qëndrimi i SHBA-ve dhe BE ndaj Moskës u përshëndet nga Ministri i Jashtëm britanik Borsi Johnson, i cili e quajti të jashtëzakonshme përgjigjen e përbashkët të aleatëve.
Ministria e Jashtme ruse e cilësoi vendimin për dëbimin e diplomatëve një hap armiqësor. Moska u shpreh se Britania e Madhe, një vend që po largohet nga BE, po shfrytëzon solidaritetin e vendeve të tjera të bllokut, për të dëmtuar marrëdhëniet me Rusinë.
Sergei Skripal dhe e bija Julia u helmuan me gaz nervor, më 4 mars në Salisbury. Autoritetet britanike fajësojnë Moskën për sulmin, ndonëse Kremlini e mohon kategorikisht të ketë gisht në ngjarje.
Tv Klan