Policia Rrugore “dorëzohet” përpara furgonëve e autobusëve


Policia Rrugore “dorëzohet” përpara furgonëve e autobusëve

20:08 28/03/2018

Policia Rrugore dorëzohet përballë autobusëve dhe furgonëve të linjave interurbane që ndalojnë vend e pa vend në akset kombëtare, duke u kthyer shpesh në burim aksidentesh. Nga një vëzhgim i bërë përgjatë akseve rrugore nuk shikon asnjë patrullë policie e cila mund të ndëshkojë shkelësit e kodit rrugor.

 

E ndërsa policia rrugore është inekzistente në këtë situatë kaotike në akset rrugore, jeta e qytetarëve është e rrezikuar seriozisht.

Televizioni Klan e ka ndjekur prej kohësh këtë problematikë e cila vijon të jetë njësoj. Policia rrugore edhe pse paguhet nga paratë e shqiptarëve për të ndëshkuar këta drejtues automjetesh, nuk vepron. E pranon paaftësinë edhe vetë kreu i kësaj policie Mitat Tola.

E ndërsa uniformat blu bëjnë sehir si në autostradën Tiranë-Durrës, apo në atë Lezhe-Tiranë, sheh dhjetëra autobusë dhe furgonë që ndalojnë për të zbritur dhe marrë pasagjerë sipas dëshirës së tyre.

Jashtë të gjitha rregullave dhe në shkelje të ligjit, këto mjete të transportit publik bëhen shpesh burim aksidentesh me vdekje.

Askush nuk e shqetëson këtë autobus që ndalon në mes të autostradës Tiranë-Durrës dhe që rrezikon të përfshihet në një aksident me kamionin që udhëton me shpejtësi në korsinë e tij.

Devijimi i kamionit shmangu përplasjen.

E njëjta situatë vërehet edhe në superstradën Lezhë-Shkodër dhe Lezhë-Tiranë.

Ky autobus pasi zbret një pasagjere të moshuar, futet për në korsinë e shpejtësisë. Pasagjerja kalon përmes superstradës, aty ku automjetet janë më shpejtësi të lartë.

Rrugët e Shqipërisë përgjaken thuajse çdo ditë nga aksidentet ndërsa Policia Rrugore kujdeset vetëm për shifrat e të vdekurve në raportet e saj.

Tv Klan





Të ngjashme