Qeveria tërhiqet nga bashkimi i Tatimeve me Doganat
Edhe pse e konsideroi si një nga reformat kryesore në administratën publike, qeveria është tërhequr nga bashkimi i Tatimeve dhe Doganave në një agjenci të vetme.
Burime për televizionin Klan bëjnë me dije se pas kërkesës së Fondit Monetar Ndërkombëtar për të rishikuar këtë nisëm, është rënë dakord që të dy administratat të vijojnë punën të pavarura nga njëra – tjetra.
Mësohet se shkak i rishikimit të vendimit është edhe përmirësimi i punës së dy agjencive në vetvete, e se bashkimi i të dyjave do të sillte një çorientim në mbledhjen e taksave, apo ulje të të ardhurave në buxhet.
Vetë FMN në muajin Tetor 2017 kërkoi rikonsiderim të kësaj nisme dhe vlerësoi se ky proces do të kishte risqe të mëdha për buxhetin e shtetit.
Në programin e qeverisë Rama krijimi i Agjencisë Kombëtare të të Ardhurave ka zënë vend që në mandatin e parë, por as 4-vjeçarin e shkuar nuk mundi të realizohej.
Reforma në këtë administratë synonte shkurtimin e procedurave të biznesit, uljen e korrupsionit dhe monitorimin më të mirë të punonjësve pranë këtyre autoriteteve.
Tv Klan