Rama: Vandalëve, përgjigje sipas ligjit


Rama: Vandalëve, përgjigje sipas ligjit

19:15 31/03/2018

Krime të rënda që nuk do të shpëtojnë pa ndëshkim. Kështu e ka konsideruar Kryeministri Edi Rama sulmin ndaj forcave të policisë dhe zjarrvënien në Kalimash, kur protestuesit sot shkatërruan sportelet e pagesës në Rrugën e Kombit.

Duke folur gjatë një konference për mediat të paralajmëruar më herët, shefi i qeverisë foli për vandalizëm dhe cënim të rendit e sigurisë të orkestruar nga Tirana, duke akuzuar opozitën.

“Të nderuar bashkëqytetarë, sipas Kodit Penal zjarri i sotëm dhe dhuna barbare e ushtruar mbi pronën e përbashkët si dhe goditja e policisë janë krime të rënda. Ju siguroj se këto krime do të ndëshkohen me të gjithë rëndesën e forcës së ligjit. Kush e vuri atë zjarr dhe kush guxoi të ngrejë dorë mbi forcat e policisë duke kërcënuar rendin, nuk do ketë asnjë shans t’i shpëtojë forcës së ligjit. As populli i krejt Shqipërisë, as i vet Kukësit nuk kanë asnjë lidhje me këtë shfaqje të ulët vandalizmi.

 

Përgjigjen prej Kukësit dhe prej gjithë Shqipërisë, gjuha e benzinës dhe çizmja e dëshpërimit që tërheqin zvarrë opozitën, do ta marrë ashtu siç e meritojnë Qershorin e ardhshëm, padiskutim edhe më shembollore se sa përgjigjia që morën Qershorin e shkuar, qoftë në Kukës e qoftë në mbarë Shqipërinë.

Ndërsa të pangushëllueshmit, kryetarit pa kokë të opozitës i cili doli pas zjarrit në mejdan me shpatën prej druri të aritmetikës së tij duke ngatërruar 200 milionë Dollarët që e vunë atë vet nën akuzë për grabitje të Rrugës së Kombit me një 200 milionë Dollarësh, që sipas tij rri fshehur në arkën e shtetit dhe u dashka shpenzuar për mirëmbajtjen pa pagesë të Rrugës së Kombit, s’kam ç’ti them. Aq s’di, aq bën

“, tha Kryeministri Edi Rama.

PARALAJMËRIMI PËR KËSHILLTARËT SOCIALISTË

Kryeministri Rama paralajmëroi edhe këshilltarët e Partisë Socialiste në Bashkinë e Kukësit, që do të përjashtohen nga partia nëse janë të përfshirë në protestën e dhunshme të ndodhur sot.

“Dje kryetari i Bashkisë së Kukësit më ka kërkuar me shkrim një takim për këtë temë, unë do të ulem me të qysh të hënën për të bashkëbiseduar. Sigurisht duke shpresuar se deri të hënën ai do të jetë distancuar jo nga kundërshtia për pagesën, po nga dhuna kriminale e ditës së sotme. Po ashtu, çdo këshilltar socialist i Bashkisë së Kukësit që ka ngritur dorë qorazi apo me vetëdije për thirrjen e pseudoprotestës të ngjizur me urdhër nga Tirana për realizimin e shfaqjes së sotme të barbarisë së dhunshme, e ka humbur po sot të drejtën që të jetë pjesë e familjes sonë politike, Partisë Socialiste të Shqipërisë”,

u shpreh Kryeministri.

ABONE PËR PËRDORUESIT E SHPESHTË TË RRUGËS SË KOMBIT

Për banorët e zonës dhe përdoruesit e shpeshtë të Rrugës së Kombit, kontrata me koncesionarin parashikon aplikimimin e aboneve me çmim më të reduktuar. Kështu ka thënë Kryeministri Edi Rama, duke sqaruar se kjo kategori do të paguajë më lirë tarifën e kalimit se sa udhëtarët e tjerë.

“Kontrata parashikon jo vetëm 120 mijë Euro çdo vit për transportin e banorëve më në nevojë, por edhe karta të posaçme kalimi, abone, me pagesë të reduktuar për çdo banor të zonës që është përdorues i shpeshtë i asaj rruge. Ne jemi ulur me kompaninë sipas parashikimit të kontratës për t’i përcaktuar pagesat e posaçme mujore, disa mujore apo vjetore për përdoruesit e shpeshtë të rrugës. Të gjithë kundërshtuesit që nuk kanë asnjë lidhje me krimet e rënda të ditës së sotme, të jenë të qartë dhe të jenë të qetë, që për përdorimin e shpeshtë të rrugës nuk do të paguajnë njësoj si për përdoruesit e tjerë

“, sqaroi Rama. /

tvklan.al






Të ngjashme