
Fitorja e Kremlinit
Ndërsa shumë vende të botës kanë larguar diplomate rusë, vjen fitorja e radhës e Kremlinit mbi Bashkimin Evropian. Qeveria Merkel ka miratuar lejen për kalimin e 85 kilometra tubacione të gazsjellësit të ri të GAZPROM në territorin gjerman. Ky vendimi i papritur vjen në një kohë kur në BE flitej për ashpërsimin e sanksioneve ndaj Moskës mbi helmimin e një ish-spiun rus në Angli.
“Nord Stream 2” ose “Rrjedha veriore 2” është një investim prej 9.5 miliardë Euro, të financuara nga Gazprom në bashkëpunim me pesë kompanitë perëndimore, gjermanët Uniper dhe Wintershall, atë anglo-holandeze Shell, OMV e Austrisë dhe Engie e Francës. Ky gazësjellës do të përqendrojë 80 përqind të shitjeve të gazit rus në BE në rrugën gjermane dhe do të ndihmojë Kremlinin për të shantazhuar shtetet e tjera evropiane me shkurtime të furnizimeve duke vënë në lojë sanksionet ndërkombëtare.
Këtë gazësjellës ministri i ri i Punëve të Jashtme Heiko Maas e konsideroi si projekt komercial dhe jo politik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Polonia, shtetet balltike dhe Ukraina e kanë quajtur gazësjellësin “Rrjedha veriore 2” tërësisht projekt politik qe politizon energjinë dhe shkatërron përpjekjet për ta bërë Evropën më pak të varur nga burimet ruse të gazit. Ky gazësjellës e dërgon gazin rus direkt në Gjermani dhe në Evropën Perëndimore, nëpërmjet Detit Baltik, dhe jo nëpërmjet Ukrainës dhe Polonisë. Pas hapjes së dritës jeshile nga gjermanët, është qeveria daneze që po përballet me lobimin e ashpër nga Rusia, aleatët në BE dhe Shtetet e Bashkuara për lejimin ose bllokimin e 139 km tubacione që kalojne përmes ujërave daneze.
Një veto daneze, do ta detyronte Rusinë, e cila furnizon rreth një të tretën e nevojave të gazit të Evropës, të gjejë një rrugë të re për tubacionin. Kjo do të dobësonte pozitën e gjigantit rus të gazit Gazprom në bisedimet me Ukrainën për një marrëveshje të re tranziti të gazit pas 2019 dhe do të krijonte pasiguri për partnerët e saj në këtë biznes. Suedia dhe Finlanda ende nuk kanë dhënë leje për tubacionin prej 1.225 km për të kaluar në Detin Baltik përmes zonës së tyre ekskluzive ekonomike.
Qasja në gazin e lirë rus për të kompensuar rënien e prodhimit holandez merr përparësi për vendet në Evropën veriore, veçanërisht Gjermaninë. Shtetet ish-komuniste të Evropës Lindore frikësohen se tubacioni do ta lërë BE-në peng të gazit rus. Gazsjellesi Nord stream 2 do të zvogëlojë gjithashtu mbështetjen e BE-së për Kievin duke e privuar atë nga taksat e tranzitit të gazit, duke rritur varësinë nga Gazprom ose furnizimet me gaz të koncentruar përgjatë një rruge të vetme drejt Gjermanisë.
Klan Plus