Milan – Inter, gati për derbi
Derbi i Milanos që do të luhet pasditen e sotme do të jetë një sfidë për Champiopns. Inter gjendet në vendin e 4 të renditje, pozicion që e synon Milani. Për të dy këto skuadra kjo është ndeshja e vitit.
Të dyja gjenden në një udhëkryq të rëndësishëm të sezonit. Skuadra e Interit e ka rritur shumë lojën ë vet në javët e fundit të kampionatit duke marrë 3 fitore dhe një barazim. Një fitore sërish në derbi si në fazën e parë do të rriste më së shumti moralin por trajneri Spaletti thotë se kjo ndeshje nuk është vendimtare.
“Lojtarët e mi e vunë skuadrën në një pozicion të tillë që kjo ndeshje nuk mund të ndikojë. Por është e qartë se kjo ndeshje vlen shumë. Ky është rasti të marrim maksimumin.”
Por trepikëshi i Interit do të shuante shpresën e pjesëmarrjes në Champions të Milanit. Pavarësisht humbjes në Torino, skuadra e Gattusos po prodhon lojë të mirë.
“Më në fund pas shumë vitesh kjo ndeshje vlen shumë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm të mos u lëmë shumë hapësira sepse janë shumë të zotë të shfrytëzojnë këto mundësi.”
Ka shumë elementë që tregojnë se do të jetë një ndeshje e madhe. Veçanërisht nga repartet e sulmit pasi mbrojtjet respektive janë si dy mure betoni të cilat do të jetë e vështirë të kalohen. Bonucci është shndërruar në liderin ë vërtetë të skuadrës. Hap pas hapi ai u bë një Milanist i vërtetë. Sulmi iu është besuar të rinjve Suso Cutrone dhe Calhaoglu. Ndërsa Inter ka rigjetur Skriniar. Ai është baza për të ndërtuar një repart të ngjeshur. Në sulm është Icardi, i cili po rezulton fantastik, veçanërisht në zonë.
Tv Klan