Vazhdon kaosi në Tiranë, Policia Rrugore e çorientuar


Vazhdon kaosi në Tiranë, Policia Rrugore e çorientuar

16:30 30/03/2018

Kaosi me qarkullimin vazhdon në Tiranë. Makinat parkojnë dyshe, lëvizin në kundërshtim me tabelat dhe shkelin hapur rregullat e qarkullimit.

Policia Rrugore e kryeqytetit jo vetëm nuk reagon, por efektivët e saj e rëndojnë më keq trafikun, duke e çorientuar lëvizjen e mjeteve, duke mos ndërhyrë siç përcakton ligji kur konstatojnë shkelje apo duke u bërë edhe burim aksidentesh, teksa i parkojnë makinat e tyre në kundërshtim me çdo rregull.

Shikojeni këtë efektiv të Policisë Rrugore, teksa është kurdisur në muhabet në mes të rrugës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me një drejtues automjeti. Dhe mu përpara syve, një makinë lëviz në shkelje të hapur të rregullave të qarkullimit. Por polici as që reagon.

Një tjetër makinë e policisë është parkuar pranë vendqëndrimit të autobusit, në kryqëzimin e 21 Dhjetorit. Ajo ka penguar tërësisht një korsi të lëvizjes. Largohet vetëm pasi sheh se po filmohet nga kamera e Tv Klan.

Një polic tjetër ka ndaluar një drejtues mjeti në shkelje. Por shihni se ç’bëhet menjëherë përpara tij, ku disa makina që qëndrojnë në parkim dysh dhe punonjësi i policisë duket krejt indiferent.

Dy makina të tjera të policisë rrugore qëndrojnë në rrethrrotullimin e Saukut. Janë parkuar në kundërshtim me çdo rregull. Në rrethrrotullim asnjë makinë nuk lejohet të qëndrojë, pasi është burim potencial për të shkaktuar aksident.

Kaosit i shtohet çoroditja e qytetarëve nga bllokime rrugësh pa paralajmërim apo dëshira e efektivëve të policisë rrugore për t’i zbatuar vendimet sipas dëshirës.

Ky polic ka bllokuar me motorin e tij hyrjen për në një nga rruget e ish – bllokut, pranë ambasadës ruse. Por disa makina i lejon e disa të tjera jo. Pyetjes se përse e ka bllokuar rrugën pa asnjë lajmërim, refuzon t’i përgjigjet.

Në disa akse të tjera më problematike, aty ku duhet edhe më shumë prania e policisë rrugore, ajo mungon.

Në të tjera rrugë me trafik të rënduar ka policë që duken të dorëzuar përballë kaosit, që në të shumtën e rasteve e shkaktojnë vetë, siç duket, për shkak të shpërndarjes së çorientuar që u bëhet që në ndarjen e detyrave.

Tv Klan






Të ngjashme