Projekti “Smile Albania”, Klosi: Do të punësohen 1000 të rinj


Projekti “Smile Albania”, Klosi: Do të punësohen 1000 të rinj

10:29 12/04/2018

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar nga BERZH dhe BE për mbështetjen e turizmit në Shqipëri. Ministri tha se projekti i ri “Smile Albania” do të punësojë 1000 të rinj.

“Do të ketë një frymë tjetër gjatë sezonit të ri turistik në Shqipëri. Projekti “Smile Albania”, ku do të punësohen 1000 të rinj të cilët do të përpiqen të afrojnë në çdo cep të Shqipërisë, në çdo port apo aeroport,  në çdo pikë të zhvillimit turistik promovim të arsyeve pse Shqipëria do të duhet të buzëqeshi gjatë sezonit të verës. Është shumë kollaj të bëjmë vërejtje, unë jam kritiku më i madh, i cilësisë së lumenjve, bregdetit, cilësisë së ujit, por kemi mijëra arsye për t’u buzëqeshur atyre që vijnë në Shqipëri”

.

Gjatë fjalës së tij, ministri Klosi tha gjithashtu se pastrimi i vendit është një nga misionet e tij, dhe kjo duhet bërë jo vetëm gjatë sezonit turistik, por edhe pas tij.

“Ne na duhet të kemi më shumë hapësira edhe jashtë sezonit turistik. Ne kemi që në kohën e institucionit që unë drejtoj dhe jemi të qartë që të gjejmë një dakortësi që në fillim për të pasur mundësi që Shqipëria të jetë e pastër e gjelbëruar dhe e zhvilluar nga pikëpamja turistike. Mbrojta e ambientit është një nga detyrat themelore. Dhe i bëj thirrje të gjithë atyre që kanë ndërmarrje biznesi që ta pastrojmë vendin”.

Ministri ftoi të gjithë institucionet, bizneset që janë në bregdet, por edhe komunitetin që t’i bashkohen pastrimit të lumenjve dhe bregdetit në aksion që do të zhvillohet në javën e tokës nga data 16 -22 Prill.

“Javën që vjen do pastrojmë tokën nga data 16-22 për të bërë pastrimin e gjithë lumenjve dhe bregdetit. I bëj thirrje komunitetit që të marrë një pjesë sado e vogël qoftë ajo. Por ne nuk duhet të ndalemi vetëm tek ajo javë. Do vazhdojmë edhe më tutje, në mënyrë që ky sezon  turistik të jetë për herë të parë një sezon që të ofrojë sa më shumë buzëqeshje”,

tha Klosi./tvklan.al






Të ngjashme