Perëndimi i kthehet zgjidhjes diplomatike për Sirinë


Perëndimi i kthehet zgjidhjes diplomatike për Sirinë

14:23 15/04/2018

Këto janë momentet e lëshimit të raketave Tomahok nga nëndetësja amerikane Xhon Uorner drejt impianteve të armëve kimike të regjimit sirian.

 

Pamjet e sulmit të së shtunës u publikuan nga Pentagoni, teksa aleatët perëndimorë kërkojnë tani një zgjidhje diplomatike. Agjencia franceze e lajmeve “AFP” shkruan se Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania e Madhe i kërkuan Rusisë të bëhet pjesë e hartimit të një rezolute, për nisjen e një hetimi ndërkombëtar pas sulmit kimik në Duma.

Në mbështetje të hetimit të ri, shërbimet sekrete franceze publikuan pamje të të një predhe me armë kimike të fotografuar mbi një ndërtesë në Duma. Ajo dyshohet se është përdorur në sulmin e 7 Prillit ku humbën jetën 75 civilë. Perëndimi akuzon ushtrinë e Presidentit, Bashar al-Asad, për sulmin me gaz Sarinë e Klorinë, përdorimi i të cilave është i ndaluar rreptësisht nga konventat ndërkombëtare.

Në kundërpërgjigje, aleatët perëndimorë goditën të shtunën me 103 raketa, impiantet e armëve kimike të regjimit sirian. Por sipas gjeneralit rus në Siri, Sergei Rudskoj, mbrojtja ajrore siriane e teknologjisë ruse shkatërroi 71 raketa, pjesën më të madhe të tyre. Përmes një deklarate për shtyp, ambasadori rus në Uashington, Anatoli Antonov, paralajmëroi pasoja të rënda pas sulmit perëndimor, por pa i specifikuar ato, ndërsa këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara rrëzoi rezolutën e Moskës për të dënuar sulmin në Siri.

Tv Klan

 






Të ngjashme