7 të arrestuar për trafik kokaine, lidhje me ‘Ndrangheta mes Romës dhe Shqipërisë


7 të arrestuar për trafik kokaine, lidhje me ‘Ndrangheta mes Romës dhe Shqipërisë

10:31 17/04/2018

7 të arrestuar mes Romës dhe Shqipërisë për trafik kokaine, një rrjet që furnizonte me mbështetjen e 'Ndrangheta lagje të ndryshme të Romës. Është ky rezultati i një operacioni të zhvilluar orët e para të mëngjesit të së martës nga zyrtarët e policisë në Romë, në koordinim me Antimafian, të cilët kanë ekzekutuar urdhër-arrestet me mbështetjen edhe të kolegëve të tyre shqiptarë.

5 prej anëtarëve të kësaj organizate kriminale u arrestuan në Itali, ndërsa 2 të tjerë në Shqipëri. Ata janë Aleks Boçi, 38 vjeç, Florian Prendi 29 vjeç, Edmir Hatija 41 vjeç dhe Elidon Shperdheja, 38-vjeç, si dhe italianët Claudio Cesarini, Daniele Ferri, Davide Perronace.

Sipas mediave fqinje, të arrestuarit ishin pjesë e një organizate kriminale italo-shqiptare, e cila merrej me trafikun e drogës mes Belgjikës, Italisë dhe Shqipërisë.

Shqiptarët Boci dhe Prendi siguronin drogën nga shqiptarë të tjerë të vendosur në Vendet e Ulëta, sidomos nga Belgjika.

Droga u dërgohej dy shpërndarësve italianë, Claudio Cesarini dhe Daniele Ferri. Ajo transportohej nga dy shqiptarët e tjerë, Edmir Hatija dhe Elidon Shperdheja.

Përgjatë hetimeve u evidentuan 6 ngarkesa kokaine, me mbi 130 kilogramë, 9 prej të cilave u sekuestruan. Të ardhurat nga ky trafik përllogariten të kapin shifrat prej rreth 1 600 000 euro, prej të cilave, 430 000 euro u sekuestruan.

Një pjesë e drogës ishte destinuar të shkonte për italianin Davide Perronace, i cili u arrestua. Ky i fundit, sipas policisë italiane, njihet për lidhjet e tij me 'Ndraghetan.

Sipas të përditshmes Corriere della Sera, hetimet nisën nga operacioni i quajtur "La Romana", që më 10 Tetor të vitit të shkuar, çoi në arrestimin e 18 personave pjesë e një organizate kriminale. Arrestimet në këtë rast u kryen në Kalabri, Lazio, Piemonte, Lombardi, Veneto dhe Sardenjë.

/tvklan.al






Të ngjashme