Video/ Rekomandimi për negociatat, Rama: Stacioni i radhës, anëtarësimi në BE


Video/ Rekomandimi për negociatat, Rama: Stacioni i radhës, anëtarësimi në BE

17:10 17/04/2018

Rekomandimin e Komisionit Evropian për çeljen e negociatave, Kryeministri Edi Rama e sheh si një arritje të Qeverisë socialiste, por njëkohësisht edhe shtim të përgjegjësive për të vazhduar reformat e thella.

Në një deklaratë për mediat nga godina e Qeverisë, Rama e konsideroi historike ditën e sotme, pas 30 viteve të gjata të Shqipërisë në rrugën drejt konsolidimit të demokracisë. Dhe sipas Kryeministrit, që sot e tutje, rruga është e hapur drejt stacionit të fundit, që është anëtarësimi në Bashkimin Europian.

“Sot kemi kaluar sprovën historike të ngjitjes në një shkallë të re, si vend dhe si popull. Jemi rekomanduar pa asnjë rezervë nga KE si një shtet që duhet të ulet në tryezën e negociatave. Jam shumë krenar sepse i dhamë Shqipërisë një staturë të re në arenën ndërkombëtare. Tani është e qartë për të gjithë se rruga përtej udhëkryqit është e gjitha e hapur përpara nesh. Stacioni i radhës në fund të kësaj rruge të re, është anëtarësimin në BE. 

Dhe shpejtësia e mbërritjes në atë stacion varet nga ne. Jam i emocionuar sepse sot Shqipëria ka marrë vlerësimin më të lartë ndërkombëtar, të thuajse një tridhjetëvjeçari përpjekjesh, arritjesh dhe dështimesh, ngritjesh, rënien dhe ringritjesh.

Respekt dhe mirënjohje sot për të gjithë ata që përpara nesh dhanë një dorë për të ndërtuar rrugën drejt Bashkimit Europian. Por jam njëkohësisht shumë krenar sot sepse me besim, vendosmëri dhe mundime të mëdha përmes reformash të guximshme, ja kemi dalë. Ja kemi dalë që në 4 vjet ta kthejmë besimin e popullit tek ne, në dy arritje të mëdha të një rëndësie të madhe historike për të ardhmen. 

Këto nuk janë dhuruta, nuk janë as gjeste bujarie të Komisionit Europian ndaj Shqipërisë. Europa e bashkuar nuk bën dhurata. Dhe Brukseli është një makineri e pamëshirmshme që sheh dhe njeh vetëm meritat”,

theksoi Kryeministri.

Peshë kryesore në rekomandimin për hapjen e negociatave, ka luajtur reforma në drejtësi, tha Rama, duke shtuar se tani duhet të veprojë drejtësia e re ndaj kujtdo të përfshirë në afera korruptive.

“Rekomandimi për çeljen e negociatave është njohja e reformave tona. Rekomandimi për çeljen e negociatave nuk është fundi i këtyre betejave, por futja në një fazë të re edhe më të vështirë të reformave dhe përshkallëzimi i luftës kundër krimit. Shembulli më kuptimplotë është reforma në drejtësi. Nëse për të marrë rekomandimin e sotëm ne duhet të ligjëronim vetingun, vitet që kemi përpara duhet të provojmë fuqinë ndëshkuese të sistemit të pastruar të drejtësisë mbi këdo që duhet të paguajë zullumet. 

Periudha e negociatave është periudha e ndarjes përfundimtare të shapit nga sheqeri. Do të jetë një periudhë e ngarkuar me sfida dhe ngarkesa të mëdha nga të gjithë. Po sigurisht në radhë të parë nga qeveria”,

u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare ka ftuar përsëri opozitën dhe kryetarin e saj Lulzim Basha që të bashkëpunojnë për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së, pavarësisht “luftës” së brendshme politike. Rama u zotua gjithashtu se do të jetë qeveria e tij që do të çojë deri në fund amanetin të parëve tanë, për një Shqipëri europiane.

“Dora jonë është e shtrirë sot ndaj opozitës dhe e ftoj opozitën dhe krytarin e saj që të mos ngatërrojmë përplasjet për gjithçka na ndan së brendshmi për këtë sfidë kombëtare që kërkon kur flasim me gjuhë të gjuaj mos tregojmë me gisht njëri-tjetrin. 

Sot ka fituar atdheu ynë i paragjykuar, sot kanë fituar shqiptarët të gjithë këtu në atdhe apo kudo ku janë në emigracion. Sot është shtiza e flamurit kuq e zi të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Siç ja dolëm në këto dy sprova, duke kapërcyer pengesa të jashtëzakonshme, do t’ia dalim dhe në të tretën, më të vështirën. Ne do ta çojmë deri në fund amanetin e Skënderbeut, Rilindasve, të gjithë martirëve”,

përfundoi Kryeministri.

 /tvklan.al






Të ngjashme