BE pranoi 5% të kërkesave të shqiptarëve për azil në 2017


BE pranoi 5% të kërkesave të shqiptarëve për azil në 2017

17:05 19/04/2018

Vitin e kaluar, 5% e azilkërkuesve shqiptarë përfituan azil në vendet e Bashkimit Europian. Shifrën e ka publikuar raporti i Zyrës Europiane të Statistikave, Eurostat, sipas të cilës Shqipëria vijon të jetë mes vendeve kryesore të origjinës së azilkërkuesve në Bashkimin Europian, sëbashku me Kosovën.

Nga raporti konstatohet se vetëm 1 103 shqiptarë përfituan azil në vendet e unionit nga mbi 22 mijë aplikime të bëra përgjatë gjithë 2017-s. Shifra është domethënëse, pasi prej Shtatorit 2015, Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor konsiderohen nga Brukseli, vende të sigurta origjine, çka do të thotë se banorëve të këtyre vendeve nuk u rrezikohet jeta nga konfliktet e armatosura apo diskriminimet.

Aplikantëve nga Kosova u janë pranuar 9% e kërkesave. Më shumë kërkesa u janë pranuar sirianëve, etiopianëve, somalezëve, sudanezëve, vende të destabilizuara nga konfliktet e përgjakshme të armatosura.

Vitin e kaluar, nga Shqipëria pati rreth 7 mijë kërkesa më pak krahasuar me vitin pararendës 2016. Vendet më të preferuara për ta ishin Franca, Gjermania, Greqia, Britania e Belgjika.

Tv Klan






Të ngjashme