Polici vetëvritet në Komisariat
Një efektiv i komisariatit të Policisë së Fierit u vetëvra mëngjesin e të martës në ambientet e punës së tij me armën e shërbimit. Kastriot Fafaj 47 vjeç banues në këtë qytet u gjet nga kolegët e tij me një plagë në kokë.
Burimet thanë se ai u vetëvra në një nga dhomat e komisariatit ku efektivët ndërrohen pasi lënë turnin. Ishin kolegë të tij që dëgjuan të shtënën, por nuk kanë mundur të mbajnë në jetë kolegun për shkak se plaga ka qenë fatale. Një grup hetuesish po përpiqet të zbardhë shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Por babai i policit, Shyqyri Fafaj pretendon se i biri u vra nga stresi i Vetingut.“Vetëm se e ka ngarkuar dega këtu a nuk e di. Vetëm për dokumente Vettingu. Kërkonin ca gjëra që nuk u takonin fare. Më thoshin mua kur ke hyrë në Greqi dhe kur ke dalë nga Greqia? Unë nuk isha në kërkim nga shteti. Pse t’ia kërkonin çunit. Atij t’i kërkonin punën që kishte si polic atje”
, tha babai i policit të vetëvrarë, Shyqyri Fafaj. Burime të besueshme thanë për Tv Klan se një nga pistat është transferimi i tij në detyrë nga ndihmës specialist i rendit, apo siç njihet ndryshe inspektor rendi në polic patrulle. Kjo kishte ndodhur një javë më parë. 47-vjeçarit i ishte komunikuar transferimi ndërsa kishte nisur punë në detyrën e re. Drejtori i Policisë së Fierit konfirmoi se me hetimin është angazhuar edhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme. Kastriot Fafaj njihej si person i qetë dhe pa probleme. Tv Klan