Transformohet blloku i banimit në Shkozë, Bashkia e Tiranës vijon investimet në lagje


Transformohet blloku i banimit në Shkozë, Bashkia e Tiranës vijon investimet në lagje

13:23 24/04/2018

Nga një zonë krejtësisht informale, e lënë pasdore, ku pluhuri dhe balta mbizotëronin në çdo kohë, blloku i banimit prej 5.1ha që kufizohet nga Rr. “Bashkim Kodra”, “Shkretëve”, “Shpëtim Zajmi”, “Spahiu” dhe “Ali Shefqeti”, në zonën e re të Shkozës, është shndërruar në një hapësirë model urbane. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputetja e PS, Elona Gjebrea dhe administratorja e Njësisë Nr.1, Trendelina Jaku, inspektoi përfundimin e punimeve në këtë bllok banimi, duke theksuar transformimin total që ka pësuar zona, e cila tashmë i bashkohet Tiranës edhe si infrastrukturë.

 “Kjo lagje quhet lagja e ‘Shkretëve’ dhe në fakt, fjala e shkretë i shkonte fare mirë sepse ishte një hapësirë me dhe, llucë, baltë, e zhytur terr dhe kaos urban. Sot lagja ka pësuar një transformim të madh. Kaluam nga dheu në asfalt, nga terri në ndriçim LED, nga kaosi në sinjalistikë moderne, nga mungesa e ujit dhe e plehrave mullar, në një situatë ku lagja ka rrjetin më modern të mbledhjes së mbeturinave në qytet. Pra, si dita me natën”

, tha kryebashkiaku Veliaj.

 Ai theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur dhe tregon se përmirësimi i jetës së qytetarëve është një qëllim i përhershëm i Bashkisë Tiranë, që nuk varet nga sezonet politike.

“Nuk pritëm të vijnë zgjedhjet, ato janë një vit e gjysmë larg. Nëse fjala jepet duhet të mbahet. Më vjen mirë edhe për bashkëpunimin që patëm me qytetarët. Ky ka qenë një dimër i jashtëzakonshëm me shira dhe fakti që, në kohë rekord, fill pas shirave, arritëm të rikuperonim ditët e humbura prej motit, më bën të ndihem shumë krenar për stafin e Bashkisë së Tiranës dhe për të gjithë ata që kontribuojnë, duke filluar nga deputetja, administratorja, këshilltarët”

, tha Veliaj.

 Kryebashkiaku siguroi se puna në këtë zonë do të vazhdojë për të përfunduar edhe rrugët e tjera, në skajet fundore të njësisë. “Duam të vazhdojmë deri në kulmet fundore kapilare të zonës. Megjithatë, për 4500 banorë të zonës së Shkozës sot është një ditë e bukur dhe një ditë e mbarë, një ditë që realisht ndihen se kanë ardhur më në fund në Tiranë”, deklaroi Veliaj.

 Deputetja e PS, Elona Gjebrea falenderoi Bashkinë e Tiranës për punën e kryer në kryeqytet dhe vëmendjen që i ka kushtuar kësaj zone.

“Këtu kemi ardhur gjatë fushatës dhe iu premtuam banorëve këtë investim, që u krye në kohë rekord. Kjo është vërtet një mbështetje shumë e madhe që Bashkia e Tiranës i jep këtij komuniteti, duke përmirësuar cilësinë jetës, duke ndihmuar për një integrim sa më të mirë të tyre në të gjithë pjesët e tjera”,

u shpreh deputetja Gjebrea.

Ky investim i rëndësishëm i Bashkisë së Tiranës ka përfshirë ndërtimin e 22 rrugëve të bllokut që kufizohet nga Rr. “Bashkim Kodra” – “Shkretëve” – “Shpëtim Zajmi” – “Spahiu” – “Ali Shefqeti”, në zonën e re të Shkozës. Krahas punimeve për trupin e rrugës, është bërë pajisja e zonës me rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza e të bardha, trotuareve, ndriçimi, si dhe vendosja e sinjalistikës vertikale dhe horizontale etj. /tvklan.al

 






Të ngjashme