Makina përplas për vdekje adoleshentin
Një adoleshent ka gjetur vdekjen këtë të mërkurë, pasi u përplas nga një automjet. Ngjarja e rëndë ndodhi në aksin rrugor Fushë Krujë – Tiranë, pranë fshatit Larushk.
Viktima është 18-vjeçari Altin Çupi, i cili mësohet se po ecte në anë të rrugës kur u përplas nga makina.
Në një njoftim paraprak, policia sqaron se
“rreth orës 18:15, në aksin rrugor Fushë Krujë-Kamëz, në vendin e quajtur Larushk, mjeti me targa AA 714 TA, me drejtues shtetasin F.Rr. ka aksidentuar me pasojë vdekje shtetasin këmbësor A. Ç 18 vjeç, banues në Larushk”.
Drejtuesi i mjetit, Florian Rraja është shoqëruar në ambientet e policisë, ku po pyetet për rrethanat e aksidentit dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Dyshimet e para janë se shkak për ngjarjen e rëndë ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara. Makina, pasi ka përplasur të riun Çupi, ka përfunduar jashtë rruge./tvklan.al