Grabitja në Kamëz/ Vritet pronari, plagoset bashkëshortja


Grabitja në Kamëz/ Vritet pronari, plagoset bashkëshortja

21:42 25/04/2018

Dy persona vranë pronarin e një dyqani ushqimor dhe plagosën bashkëshorten e tij mbrëmjen e së mërkurës, gjatë një tentative grabitjeje në rrugën OSBE në Kamëz.

Viktima është Agim Buci 52 vjeç, ndërsa bashkëshortja e tij, e cila mbeti e plagosur, është Merita Buci, 44-vjeçe.

[caption id="attachment_379621" align="aligncenter" width="508"] Viktima Agim Buci, 52-vjeç[/caption]

Sipas të dhënave paraprake mësohet se dy grabitësit kanë kërkuar shumën e parave dhe sende të tjera me vlerë. Ata kanë hasur në rezistencën e pronarit, i cili fillimisht mbeti i plagosur, sëbashku me bashkëshorten e tij.

Çifti u dërgua me urgjencë drejt spitalit, ku burri ndërroi jetë, ndërsa gruaja ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës.

Nga vendi i ngjarjes, për

tvklan.al

gazetari Spartak Koka sjell edhe detajet e para rreth saj.

“Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 21:00 të mbrëmjes së sotme në Kamëz, në rrugën “OSBE”. Një tentativë grabitjeje ka përfunduar në vrasjen e pronarit të një dyqani ushqimor dhe plagosjen e bashkëshortes së tij. Agim Buci, 52 vjeç, ka mbetur i vrarë me armë zjarri, ndërsa bashkëshortja e tij Merita Buci, ndodhet në spitalin e Traumës, e plagosur, nën përkujdesjen mjekësore.”

Në një njoftim paraprak, policia sqaron si më poshtë:

Më datë 25.04.2017, rreth orës 21:07, ka ardhur njoftimi se në rrugën “OSBE”, ka plagosje me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca ku nga verifikimet paraprake ka rezultuar: Në rrugën “OSBE”, janë plagosur me armë zjarri në një dyqan shtetasit A. B., dhe M. B., (burrë dhe grua) nga persona ende të paidentifikuar.

Shtetasit e plagosur janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital, ku shtetasi A. B., ndërroi jetë, ndërsa bashkëshortja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Janë ngritur pika kontrolli në çdo rrugë dhe hyrje - dalje të Kamzës e në pika të tjera. Vazhdon krehja e zonës dhe kontrolli i territorit. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit / ve.

Kjo është hera e dytë që nga fillimi i këtij viti që një qytetar i pafajshëm humb jetën gjatë një tentative grabitjeje. Më 2 Mars, Agur Vrenozi mbeti i vrarë në qytetin e Fierit, teksa përpiqej të ndalonte autorët e një grabitjeje me armë. /tvklan.al





Të ngjashme