Grabitja në Kamëz, Policia: 500 mijë lekë për këdo që jep informacion
Policia e Tiranës ka vënë në dispozicion një shumë prej 500 mijë lekësh për këdo që ka informacion të vlefshëm për autorët e grabitjes me armë të ndodhur këtë të mërkurë në Kamëz.
Deri në këto momente, policia thotë se janë shoqëruar 13 persona për t’u marrë në pyetje për ngjarjen ku mbeti i vrarë Agim Buci, pronar i një dyqani në rrugën “OSBE”, si dhe u plagos bashkëshortja e tij Merita Buci.
“Një grup i posaçëm hetimor nga Drejtoria e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Specialistëve të Departamentit të Policise Kriminale po punojnë për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur këtë të mërkurë në Kamëz. Deri më tani janë shoqëruar 13 persona për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Policia e Tiranës vë në dispozicion 500.000 lekë për cilindo që jep informacion të vlefshëm”,
thuhet në një njoftim.
Policia thotë më tej se vijon puna për fiksimin e çdo prove materiale të vlefshme për zbardhjen e ngjarjes. Për çdo informacion që do shërbejë për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarje, policia ju fton të telefononi në numrin 069 41 10 299, duke garantuar anonimatin.
/tvklan.al