Mijëra persona i japin lamtumirën vogëlushit “luftarak”
Pamjet prekëse nuk munguan sot në Britani, ku me mijëra persona dolën në rrugë dhe lëshuan tullumbace në qiell, në kujtim të vogëlushit "luftarak" Alfie Evans.
Më shumë se 1 mijë persona, të rinj e të rritur u mblodhën pranë parkut të spitalit të fëmijëve në Liverpool, për t'i dhënë lamtumirën e fundit djalit të vogël. Me tullumbace blu dhe leila nëpër duar, ata brohoritën emrin e Alfie-t, përpara se një vajzë e re të këndonte "A Thousand Years", të Christina Perri-t. Me lot në sy dhe krah njëri-tjetrit mbështetësit e Alfie-t i lëshuan më pas tullumbacet në qiell dhe të gjithë së bashku nisën të këndonin "You'll Never Walk Alone". Duke folur përpara turmës në park, halla e Alfie, Sarah Evans tha:"Dua t'ju falenderoj të gjithëve që erdhët sot. Luftëtari jonë i bukur mori frymë për herë të fundit në 02:30 këtë mëngjes."
Alfie u shua 23 muajsh, 5 ditë pasi mjekët i hoqën aparaturat që e mbanin në jetë, të cilat u fikën kundër dëshirës së prindërve të tyre. Tom dhe Kate, të dy nga Liverpool luftuan fort që ta çonin Alfie-n në një spital jashtë vendit, por e humbën betejën e fundit me gjykatën të mërkurën. Që prej Dhjetorit të vitit 2016, ai mbahej në jetë nga aparaturat pasi vuante nga një sëmundje e rrallë neurodegjenerative. Mjekët britanikë kishin vendosur të mos e vazhdonin trajtimin, ndonëse Spitali Pediatrik në Romë ishte treguar i gatshëm për ta shtruar fëmijën. Pas një dite tjetër në pritje të transferimit në Itali, ai pësoi një krizë frymëmarrjeje që më pas çoi në vdekjen e fëmijës./tvklan.al