Gazeta gjermane “Die Welt” shkruan për Tiranën
Tirana është fokusuar sërish nga syri i gazetarëve të huaj.
“Die Welt”, gazeta më e madhe gjermane, ka vijuar me serinë e publikimeve për Shqipërinë në prag të hapjes së negociatave me BE, e këtë herë duke u ndalur tek transformimi i kryeqytetit. Ndalesa e parë e tyre është bërë në sheshin Skënderbej, punimet e të cilit vijojnë. Pasi e cilësojnë si ish-rrethrrotullimi më i madh në Ballkan, shprehin vlerësime pozitive që tashmë është kthyer në një shetitore për këmbësorët, e rrethuar nga ministritë, fasadat e të cilave po restaurohen. Pikërisht fasadat shumëngjyrëshe të ideuara nga Kryeministri Rama, në kohën kur drejtonte Bashkinë, kanë tërhequr vemendjen, për të cilat në shkrim thuhet se i kanë dhënë Tiranës tonë pamje mesdhetare dhe se puna e Ramës për transformimin e qytetit po vijon fuqishëm nga kryetari aktual i Bashkisë, Erion Veliaj. Nuk ka mbetur pa rënë në sy edhe fushata e mbjelljes së pemëve, e ndërmarrë nga Veliaj. Gazeta gjermane ka vënë në fokus të shkrimit planin për Teatrin e ri Kombëtar, për të cilin shkruan se"i projektuar nga ylli danez i arkitekturës Bjarke Ingels do ta transformojë zonën me mjedise zyrash e shopping-u".
Ata e kanë cilësuar të pandalshëm Kryebashkiakun, teksa i referohen ndërtimit në të njëjtën kohë të 45 shkollave me anë të partneritetit me privatin, projekt i cili ka marrë kritika nga FMN, por që Veliaj është përgjigjigjur se“nëse ndjekim veç FMN, do duhen 45 vjet të kemi shkollat që na nevojiten”.
Në shkrim thuhet se Kryebashkiaku i Tiranës nuk humbet kohë me procese të ngadalta për transformimin. Tani po punon për një sistem biçikletash me qera. Trasformimi i piramides ne nje qender rinore eshte vleresuar po ashtu. Gazeta gjermane e mbyll artikullin për Tiranën me teorinë e zhvillimit të Veliaj për kapërcimin e etapave, për të kapur kohën e humbur. Tv Klan