Theresa May viziton Maqedoninë


Theresa May viziton Maqedoninë

16:40 18/05/2018

Kryeministrja britanike, Theresa May zhvilloi një vizitë zyrtare në Maqedoni, pas mbylljes së Samitit të Sofjes me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në takimin me Kryeministrin Zoran Zaev, shefja e Downing Street e vuri theksin te sfidat me të cilat përballet sot rajoni, si siguria dhe ndikimi rus, duke shprehur besimin se vendet e Ballkanit Perëndimor do ta vazhdojnë përkushtimin për sigurimin e paqes dhe stabilitetit.

“Kemi parë Rusinë duke vepruar në Ballkanin Perëndimor dhe përreth Evropës në mënyra të ndryshme, përmes propagandës dhe lajmeve të rreme, por edhe sulmeve kibernetike”.

May e cilësoi Maqedoninë një shembull se me vullnet politik mund të arrihet gjithçka, duke iu referuar avancimit të dialogut me Greqinë.

Për Kryeministrin Zaev prania e një kryeministreje britanike, për herë të parë pas 25 vjetësh, është një shtysë e madhe për Maqedoninë.

“Me praninë tuaj ju konfirmoni mbështetjen dhe përkushtimin e Britanisë së Madhe ndaj rajonit”.

Shefja e qeverisë britanike zhvilloi një takim edhe me kryeparlamentarin Talat Xhaferi.

Tv Klan






Të ngjashme