Dhunimi i gazetarit, Basha: Edi Rama është kryepushtetari që nxit dhunën


Dhunimi i gazetarit, Basha: Edi Rama është kryepushtetari që nxit dhunën

19:06 29/05/2018

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar për dhunën e ushtruar ndaj kryeredaktorit të "Rilindjes Demokratike" Bledi Kasmi gjatë protestës të së shtunës.

Në një postim në rrjetet sociale, Basha dënon qëndrimin që mbajti Kryeministri Edi Rama për këtë çështje, dhe e akuzon si "kryepushtetarin që nxit dhunën".

"Qëndrimi i Edi Ramës për dhunën e policisë ndaj gazetarit Bledi Kasmi si çështje e brendshme që nuk meriton vëmendjen e medias ndërkombëtare është i dënueshëm dhe i rrezikshëm. Me këtë qëndrim, Edi Rama vetë-demaskohet si kryepushtetari që nxit dhe mbron dhunën ndaj njerëzve të medias. Paprekshmëria e jetës dhe lirisë së individit dhe liria e shprehjes janë vlera universale dhe themeli i sistemit demokratik perëndimor dhe Bashkimit Europian.

Është e papranueshme jo vetëm për gazetarët dhe median e lirë shqiptare, jo vetëm për të drejtat e njeriut në Shqipëri, por edhe për aspiratën europiane të Shqipërisë të kemi një kryeministër të tillë që nuk ka lidhje me standartet minimale perëndimore por që ngjan si dy pika uji me autokratët injorantë dhe të dhunshëm të Lindjes. Edi Rama është sot pengesa kryesore e përparimit dhe integrimit europian të Shqipërisë"

, thotë Lulzim Basha.

Gazetari Bledi Kasmi u qëllua në kokë gjatë protestës së opozitës ditën e shtunë. Ai thotë se u qëllua nga policia me shkop gome, ndërsa në emisionin "Opinion" deklaroi se po shqyrton mundësinë e kallëzimit të kësaj ngjarje.

/tvklan.al






Të ngjashme