
Prezantohet projekti i Skopje East Gate
Skopje East Gate është projekti gjigand i kompanisë Balfin Group i cili pritet të marrë jetë në Shkup të Maqedonisë.
Në prani të shumë personaliteteve vendase dhe të huaja, ndër të cilët Kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhe Presidenti i Grupit Balfin Samir Mane, u prezantua investimi me vlerë rreth 350 milionë Euro, që perfshin 10 blloqe me komplekse rezidenciale, 5 blloqe ndërtesash për qëllime biznesi dhe një qendër tregtare me mbi 250 dyqane me markat më të njohura botërore, ku do të mund të punësohen 2.000 persona. Grupi Balfin që ka ideuar dhe realizuar historinë e suksesit në Maqedoni me Neptun - rrjeti më i madh i pajisjeve elektroshtëpiake në vend - dhe me Skopje City Mall (qendrën më të madhe tregtare) sjell tashmë Skopje East Gate që pritet të jetë i pari i llojit të tij në rajon dhe që do të bashkojë konceptin e shopping, të jetuarit dhe të bërit biznes në një të vetëm. Presidenti i Grupit Balfin Samir Mane u shpreh se"Skopje East Gate (SEG) është investimi i përveçëm privat më i madh në Maqedoni që do të krijojë mundësi të mëdha biznesi, do të garantojë një punësim të shkëlqyer, do të forcojë tregëtinë, do të tërheqë firmat botërore si dhe do të ofrojë një qasje të re të jetesës në qytet".

“Skopje East Gate është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për Shkupin, por për të gjithë vendin”,
tha Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i cili me praninë e tij në event dëshmoi rëndësinë strategjike që ka për Maqedoninë një investim i tillë. Skopje East Gate planifikohet të ndërtohet në një hapësirë prej 143 mijë metrash katrorë, vetëm dy kilometra nga qendra e qytetit dhe pranë arterieve kryesore rrugore. Punimet do të jenë të ndara në tre faza.
