Video/ Check-in në Izrael, sa kushton të shkoni në Tel Aviv dhe vendet që duhet të vizitoni


Video/ Check-in në Izrael, sa kushton të shkoni në Tel Aviv dhe vendet që duhet të vizitoni

18:46 09/06/2018

Izraeli, nuk është për turistët vetëm një destinacion hyjnor, por me dritëhijet dhe ekstravagancat e tij, jo shumë të njohura por të gjitha për t’u zbuluar.

Ndaj udhëtimin e tyre në Izrael, Albana Nanaj dhe Dorina Daka, e nisën nga Tel Avivi, qyteti i bardhë, i dyti për nga madhësia pas Jeruzalemit, i cili çdo vit vizitohet nga 2.5 milionë turistë.

Një qytet gjithmonë në ndryshim, modern, rinor dhe mbi 100 vite jetë.

Albana Nanaj: Deti, ndërtesat gjigante, njerëzit që marrin rreze dielli në këto plazhe të bukura, gjithçka perfekte.

Dorina Daka: Janë të bekuar me një klimë të ngrohtë me diell, me pak erë gjatë gjithë vitit, pjesës më të madhe të tij. Mund të frekuentohet për pushime në çdo stinë të vitit.

Tel Avivi ose kodra e pranverës për hebrenjtë, është një nga qytetet më të vizituara në botë, në nivel turistik. Nëse rri dy ditë është këndshëm, por nëse rri një javë ke bërë një zbulim.

Në fakt në turet klasike në zbulim të Tokës së Shenjtë, Tel Avivi vizitohet një ose dy ditë qëndrim. Ndërsa për ata që duan ta shijojnë më shumë mund të qëndrojnë edhe më shumë në hotelet në breg të detit dhe ta jetojë qytetin 360 gradë.

Pushime në plazh, kulturë, argëtim. Megjithatë Tel Avivi nuk është një qytet ekonomik, një paketë turistike kushton rreth 800 Euro.

Dyshja ndalon edhe te jeta e natës në Tel Aviv. Një qytet i gjallë, plot jetë dhe ritëm, të rinjtë që kanë mbushur rrugën plot, ky vend ndjell këdo për ta vizituar.

Dhe sigurisht, ato nuk mund t’u rezistonin ritmeve të ngjashme me muzikën duke shijuar pak momente kërcimi.

Pas dy ditësh në Tel Avivin e ri dhe të zhurmshëm, destinacioni është Nazareti, djepi i krishtërimit. Me të mbërritur aty, paqja bëhet zonjë shtëpie dhe prania e saj shtrihet kudo.

Nazareti është qytet më i madh arab, në Izrael. Destinacioni i radhës ishte Jeruzalemi, një qytet, emri i të cilit peshon shumë. Peshë të cilën e ndjen sa më shumë i afrohesh. Vendi i shumë ngjarjeve biblike.

“Check In”, sugjeron edhe disa këshilla turistike për ato që duan të vizitojnë Izraelin. Në Izrael hyhet lirisht pa vizë, një kombinim i plotë me dy ditë qëndrim në Tel Aviv, ekskursion ditor në Nazaret, një ditë te Deti i Vdekur, dhe dy ditë në Jeruzalem./tvklan.al 





Të ngjashme