Emigrantët, BE mbledh ministrat e Ballkanit
Zhvillimet e fundit në detin Mesdhe kanë nxitur iniciativën e Komisionerit për Migracionin, Punët e Brendshme dhe Qytetarinë, Dimitris Avramopoulos për të thirrur 6 ministrat e brendshëm të Ballkanit Perëndimor në Bruksel.
Në qendër të takimit ishte çështja e migracionit dhe rrugëkalimi i ri që prek Shqipërinë, Malin e Zi dhe Bosnjë dhe masat operacionale që duhen marrë nga vendet e rajonit dhe Bashkimi Europian për të evituar përkeqësimin e situatës:
“Nuk jemi aspak në situatën ku ndodheshim 3 vjet më parë. Megjithatë ne kemi vërejtur një rritje të numrit të emigrantëve nga një rrugëkalim i ri që prek Bosnjën, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Edhe pse numrat nuk janë ende alarmante, qëllimi ynë sot ishte që të përforcojmë bashkëpunimin dhe përpjekjet tona për të evituar në mënyrë kolektive që situata të përkeqësohet”.
I pyetur nëse është diskutuar plani i ngritjes së një kampi refugjatësh në Shqipëri, Komisioneri Avramopoulos e ka mohuar diskutimin e kësaj çështjeje në Bruksel, por nuk e ka përjashtuar në një kohë të mëtejshme.
“Ne nuk e kemi diskutuar një iniciativë të tillë në Bruksel as me Shqipërinë dhe as me vend tjetër. Nëse kjo çështje do të paraqitet një ditë, ne do t’a shqyrtojmë. Momentalisht nuk është çështje për ne”.
Në vijim të konferencës, Komisioneri Avramopoulos ka pranuar që ideja ekziston, por nuk bëhet fjalë ende për një propozim konkret:
“A dini një vend që ka shprehur gatishmërinë që të ndërtojë një kamp të tillë dhe nëse dini një të tillë ju lutem cilësojeni? Nëse propozimi arrin, ne do ta diskutojmë. Nuk kemi rrëzuar asnjë propozim, por as nuk kemi zgjedhur këtë opsion. Pra ideja ekziston, por nuk përbën ende një propozim konkret deri tani”.
Takimi me gjashtë ministrat e Ballkanit Perëndimor është fokusuar më tutje te siguria, në goditjen e rrjeteve të grupeve kriminale, trafikut të emigracionit dhe qenieve njerëzore.
Tv Klan