Miratohet në parlament marrëveshja me Greqinë
Parlamenti maqedonas ratifikoi me 69 vota pro marrëveshjen me Greqinë që e shndërron emrin shtetëror në “Republikë të Maqedonisë Veriore”.
Pro marrëveshjes votuan vetëm deputetët e shumicës, ndërsa opozita braktisi sallën përpara votimit, duke shkëmbyer debate me kryeparlamentarin Talat Xhaferi.
Për kryeministrin Zaev, marrëveshja i heq Maqedonisë, pengesat në rrugën e integrimit euro-atlantik.
“Para tre ditëve nënshkruam dokumentin që i jep fund çështjes tre dekadëshe. Jepet një zgjidhje me dinjitet për të dyja palët. Kjo ditë e bën të qartë se do të marrim datë për fillimin e bisedimeve me BE-në.”
Sfida e radhës është që marrëveshja të marrë dekretin presidencial. Gjorge Ivanov e ka thënë prerë se nuk do ta nënshkruajë, duke hapur asaj të njëjtin shteg si ligji që zyrtarizon përdorimin e gjuhës shqipe që nuk ka hyrë ende në fuqi.
Në një intervistë televizive, Zaev paralajmëroi se do të kërkojë shkarkimin e Presidentit, i cili sipas tij po shkel kushtetutën në të dyja rastet. Kushtetuta detyron kreun e shtetit të dekretojë ligjet që votohen për së dyti në parlament. Në të kundërt parlamenti i kërkon Gjykatës Kushtetuese të nisë procedurat e shkarkimit, të cilët miratohen me 2/3-at e anëtarëve të gjykatës.
Tv Klan