Revolucion në mjekësi, por shkencëtarët kërkojnë hapa të matur
Biologjia sintetike së shpejti do të eksperimentohet tek njeriu. Bëhet fjalë për baktere gjenetikisht të modifikuara që do të luajnë rolin e ilaçeve të “gjalla”. Testet klinike janë autorizuar nga entet amerikane si terapi për të luftuar diabetin, ulcerat e krijuara nga kimioterapia dhe sëmundje të rralla metabolike.
Gjithsesi bota shkencore është skeptike pasi ka shumë dyshime mbi rreziqet që mund të shkaktojë për shëndetin e njeriut. Deri tani kompania Synlogic Cambridge ka modifikuar bakterin E. Coli duke përftuar dy versione të reja, njëra që shërben në eliminimin e amoniakut në gjak tek pacientët që vuajnë nga sëmundje metabolike të mëlçisë.
Gjithashtu kompani të tjera po përpiqen të krijojnë baktere gjenetikisht të modifikuara të cilat do të mund të kolonizojnë trupin e njeriut për një kohë të gjatë, me qëllim forcimin e mbrojtjes imunitare kundër transmetimit të virusit HIV.
Përtej entuziazmit nga njëra anë për rrjedhojat pozitive, njerëzimi është ende në hapat e para të këtyre terapive, dhe sipas revistës shkencore Nature hapat që po bëhen duhet të jenë mjaft të kujdesshëm e të kontrolluar, për të evituar efektet anësore.
Klan Plus