Erdogan, presidenti i cili u rezistoi kryengritjeve
Rexhep Taip Erdogan arriti kulmin e pushtetit politik me zgjedhjet e së dielës. Ai shndërrohet në të parin president të Turqisë moderne që merr edhe kompetencat e kryeministrit. Fuqinë ekzekutive ia dha referendumi i Prillit 2017 që e shndërroi Turqinë në Republikë Presidenciale.
Tendencën për t’u shndërruar në një lider absolut, 64-vjeçari e ka treguar gjatë gjithë rrugëtimit të tij të gjatë politik.
Prova e fundit ishte në 2014-ën, kur me ndryshimet kushtetuese të aprovuara me nismën e partisë së tij u bë i pari president i zgjedhur me votë popullore dhe jo nga parlamenti. Dorë drejt konsolidimit në pushtet i dha edhe grushti i dështuar i shtetit i Korrikut 2016, për të cilin akuzoi ish-aleatin e tij Fetullah Gylen. Prej asaj kohe, Erdogan nisi spastrimin e administratës dhe ushtrisë nga kundërshtarët dhe ata që ai i quante puçistë, nën pretekstin se mbështesnin Gylenin.
Strategjia e spastrimit nuk është e re në karrierën politike të presidentit Erdogan. Nga viti 2007 në 2010-ën, pikërisht me ndihmën e Fetullah Gylen dhe përmes dy referendumeve për ndryshime kushtetuese, Erdogan arriti të ulë ndjeshëm fuqinë dhe pavarësinë e ushtrisë. Disa nga ushtarakët më të lartë në Turqi, gazetarë dhe kundërshtarë të tij politikë u dënuan në dy proceset e famshme gjyqësore, “Vareja” dhe “Ergenekon”.
Përgjatë trajektores 15-vjeçare në pushtet “sulltani i Turqisë moderne” u ka mbijetuar disa përpjekjeve për kryengritje popullore, ndërsa marrëdhëniet me Perëndimin janë shoqëruar shpeshherë me kritika dhe akuza për shkelje të të drejtave të njeriut.
Tv Klan