Merkel 4 në rrezik prej emigrantëve
Qeveria Merkel rrezikon të bjerë për shkak të mosmarrëveshjeve brenda koalicionit qeverisës në Gjermani për mënyrën e trajtimit të çështjes së emigrantëve ilegalë.
Ministri i Brendshëm Horst Zehofer paralajmëron se në fundjavë do të nisë pa miratimin e kancelares, dëbimin e të gjithë azilkërkuesve që janë regjistruar në vende të tjera të Bashkimit Europian, duke i dalë kundër politikës miqësore të kancelares ndaj azilkërkuesve. Mediat gjermane shkruajnë se nëse kjo ndodh, Merkel mund ta shkarkojë ministrin e Brendshëm, çka do të çonte në largimin e socialkristianëve nga koalicioni qeverisës. Në këtë mënyrë Merkel do të humbte shumicën për të qeverisur. Liderët do të takohen në mbrëmje në përpjekje për të shpëtuar qeverinë Merkel 4, që u formua me vështirësi 3 muaj më parë. Shpresat për uljen e tensioneve brenda koalicionit qeveritar ishin tek minisamiti i fundjavës, ku synohej që liderët europianë të gjenin gjuhë të përbashkët për krizën e emigrantëve. Por samiti ishte jorezultativ, pasi qeveritë populiste europaine nuk pranojnë zgjidhje tjetër përveçse mbylljen e kufijve. Vitet e fundit sipas statistikave, vetëm në Gjermani kanë kërkuar azil rreth 600 mijë të huaj. Tv Klan